(Ekonomia Online) - Nesrije Paqarada, specialiste e mjekësisë familjare, thotë se bartja e maskave dhe respektimi i distancës ka rezultuar në ulje të rasteve me grip sezonal.
Paqarada shtoi se pasi që gripi sezonal bartet përmes teshtimës, ka gjasa që bartja e maskës dhe ruajtja e distancës për shkak të pandemisë, ka bërë që këtë vit të ketë numër më të ulët të rasteve me grip sezonal.
“Këto ditë kemi më pak raste me grip sezonal, gripi sezonal është një infeksion viral ngjitës i organeve të frymëmarrjes dhe rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktohet nga disa tipa të virusit A, B dhe C. Në këtë vit nuk kanë qenë shumë të shpeshta rastet, ndoshta mund të themi që përdorimi i maskave dhe i distancës ka kontribuar që numri i pacientëve me infeksione virale, pra me grip sezonal ka qenë më i vogël, për shkak se gripi sezonal shpërndahet dhe e ka burimin te njeriu i sëmur i cili gjatë kollitjes apo teshtimës mund të qet spërklat të cilat mund të përcillen pastaj te personat e tjerë”, është shprehur ai.
Specialistja e mjekësisë familjare po ashtu ka treguar se ka pasur një numër të madh të të moshuarve të interesuar për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.
“Vaksinimi me vaksinën kundër gripit sezonal bëhet në muajin tetor, ka qenë një numër mjaftë i madh i të moshuarve dhe punëtorëve tjerë të cilët kanë qenë të ndikuar dhe vaksinimi është kryer në afat të mirë kohor. Vaksinën kundër gripit e marrin personat mbi moshën 65 vjeçare por edhe me të rinjtë që kanë sëmundje kronike”, ka shtuar ajo.
Paqarada gjithashtu ka treguar se ka vështirësi në gjetjen e dallimit mes simptomave të gripit sezonal dhe virusit COVID-19, raporton EO.
Edhe
Mes pacientëve me simptoma të gripit sezonal, identifikohen 20 raste pozitive me COVID-19
Ajo ka thënë se si dallim i vetëm që kanë arritur të evidentojnë deri më tani është vetëm koha e inkubacionit, ku gripi sezonal zgjatë deri tri ditë kurse personi me koronavirus ka simptoma deri në shtatë ditë.
“Një dallim që kemi vërejtur është inkubacioni i gripit sezonal apo koha e infeksiozitetit të pacientit zgjatë 1-3 ditë kurse te COVID-19 shkon prej 6-7 ditë. Vdekshmëria për shkak të gripit sezonal është shumë më e vogël kurse te COVID-19 është më e madhe deri në 5 për qind”, ka përfunduar ajo.