Arbëri

Reshjet, përpos telasheve tjera, dëmtuan edhe dy fakultete të UP-së

Shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë të martën, u ka shkaktuar telashe dy fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, e sidomos atij të Shkencave Matematiko - Natyrore.

Tavani këtu është demoluar tërësisht dhe, për pasojë, është prishur komplet inventari, raporton KTV.

Edhe sallat e mësimit janë të mbushura me ujë dhe studentët, gjatë së martës, janë transferuar në departamente tjera për mbajtje të provimeve.

Prodekani për Financa i Fakultetit të Shkencave Matematikore, Agim gashi, tregon se një kompani ka qenë duke punuar për rregullimin e tavanit.

E pro-rektorja për Financa në Universitetin e Prishtinës, Myrvete Badivuku, ka thënë se kompania “Ylli Brothers”, ka qenë e kontraktuar që prej një viti edhe për disa punë të tjera.

Gjatë ditës, të pranishëm në FSHMN ishin edhe pjesëtarë të kompanisë së kontraktuar Ylli Brothers, por ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës.

Mirëpo, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se janë brenda afatit të punimeve.

Përveç në fakultete, shiu ka shkaktuar telashe edhe në rrjetin e kanalizimit në Prishtinë.

Për mosinvestim në rrjetin e kanalizimit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, akuzon Komunën e Prishtinës.

“Përderisa Prishtina, pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime të larta, rritje të tejskajshme të numrit të banorëve, është dashur që të intervenojë edhe në infrastrukturën ekzistuese, gjë që nuk është bërë, prandaj kjo me automatizëm ndikon në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit dhe përmbytje në shumë lokacione brenda qytetit”, thuhet në komunikatën e KRU Prishtina.

Gëzim Mehmeti, drejtor për Investime Strategjike në Komunën e Prishtinës, ka thënë se komuna ka paraparë të investojë mbi 4 milionë euro në rrjetin e kanalizimeve fekale e atmosferike, ndërsa, sipas tij, mirëmbajtja e rrjetit fekal është përgjegjësi e KRU Prishtina.

Mehmeti ka shtuar se komuna jep leje për ndërtim, vetëm më pëlqim të KRU Prishtinës.