Keqklasifikim të shpenzimeve dhe shkelje në procesin e prokurimit ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në Universitetin e Prishtinës. Njohës të procedurave të prokurimit thonë se pasqyrimi joreal i financave vjetore lë dyshime për keqshfrytëzim të parasë publike
Një numër parregullsish në procesin e prokurimit ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Universitetin e Prishtinës.
Sipas raportit për vitin 2021 të publikuar nga ZKA-ja, UP-ja përzgjodhi kompaninë për rregullimin e kanalizimit dhe ujësjellësit në fakultete pa i plotësuar të gjitha kriteret. Kompania nuk e kishte dërguar policën e sigurimit në vlerë prej 2 milionë eurosh.
“Tek dosja e tenderit për kontratën ‘Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore-FSHMN, Filozofik, Lot 1- në vlerë 1,734,655 €”, në kuadër të kapaciteteve teknike dhe profesionale ishte kërkuar si kriter ‘polica e sigurimit nga kompanitë e licencuara të sigurimit që operojnë në RKS për vendpunishte dhe palë të treta, në vlerë 2,000,000€’. OE fitues nuk e kishte dorëzuar Policën e sigurimit”, thuhet në raport.
UP-ja kishte vonuar pagesa në vlerë prej 421,522 eurosh për operatorët ekonomikë, është një nga gjetjet e tjera në këtë dokument.
“Kemi vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Pagesa për ‘Mbeturina’ me vlerë 5,188€ kishte 34 ditë vonesë, pagesa ‘Rregullimi i rrugëve në FBV’ me vlerë 100,119€, 171 ditë vonesë dhe pagesa ‘Furnizim me pajisje dhe materiale të ndryshme në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike’ me vlerë 316,214€, 53 ditë vonesë”, thuhet në raport.
Sipas hulumtueses në “Demokracy Plus”, Arbelina Dedushaj, mosrespektimi i procedurave të prokurimit është shkelje ligjore.
“Raste të tilla, përveç shkeljeve të dispozitave të prokurimit publik, paraqesin edhe shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit, duke qenë se në të njëjtën kohë mund të implementohen kontrata paralele nga Agjencia Qendrore e Prokurimit dhe një institucion tjetër”, ka thënë Dedushaj.
Ndër vite ZKA-ja ka rekomanduar UP-në që të bëjë kontrolle efektive në fushën e prokurimit, meqë edhe më herët ishin evidentuar parregullsi. Sipas Auditorit, ky rekomandim nuk ka filluar të zbatohet.
Parregullsitë nuk janë kufizuar vetëm në prokurim.
Sipas raportit, UP-ja gjatë vitit të shkuar ka bërë keqklasifikim të shpenzimeve në vlerë prej 195,285 eurosh.
“Keqklasifikime ishin vërejtur tek kontratat: ‘Furnizim me pajisje për përpunimin e qumështit në FBV’; ‘Furnizim me pajisje’ nga projekti GEOBIZ; ‘Furnizim me pajisje’; ‘Furnizim me laptopë’; ‘Furnizim me pajisje elektronike nga projekti’; ‘Furnizim me pajisje elektronike për VR/AR’; ‘Furnizim me pajisje të IT’; ‘Furnizimi, instalimi dhe trajnimi për pajisje të laboratorit’; ‘Renovime për FN, FIEK, FIM’”, thuhet në raport.
Po kështu, Universiteti më i madh publik kishte deklaruar 3,779 euro më shumë të hyra dhe 4,314 euro më shumë shpenzime në raportin e granteve. Por për këtë Rektorati ka fajësuar zyrtarët e Thesarit, meqë, sipas tyre, nuk i kanë korrigjuar shënimet e reja, por janë bazuar në shënimet fillestare.
Hulumtuesi i lartë në organizatën “INPO”, Qëndrim Arifi, ka thënë se pasqyrimi joreal i financave vjetore lë dyshime për keqshfrytëzim të parasë publike.
“Pasqyrat financiare janë udhërrëfyes se si një institucion e ka shfrytëzuar paranë publike brenda vitit të caktuar fiskal. Tash çdo parregullsi brenda pasqyrave financiare normalisht që është e dënueshme më së paku në aspektin administrativ, personat që kanë qenë përgjegjës të paraqesin ato pasqyra, sepse në kuadër të pasqyrave financiare pak ka të bëjë me gabime teknike sa ka të bëjë me gabime përmbajtjesore”, ka thënë ai.
Në lidhje me parregullsitë në pasqyrimin e financave vjetore, KOHA ka dërguar pyetje te drejtuesit e Zyrave të Prokurimit dhe të Buxhetit në UP, por nuk ka marrë përgjigje.