Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reshjet kanë dëmtuar shumë kultura bujqësore në Ferizaj, Komuna s’ka buxhet për kompensim

Gegë Zefi, në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt, kishte mbjellë 1 hektarë me dredhëza dhe 4 të tjera me mjedra.

Por nga breshëri i shpeshtë kohëve të fundit, Gegë Zefit i janë shkatërruar 90 përqind e dredhëzave dhe 30 përqind e mjedrave, raporton KTV.

Ai thotë se të mbjellat më nuk mund të rikuperohen por pret që komuna ose qeveria t'ia kompensojë dëmin.

Rreth 700 mijë euro është shuma e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshrit në komunën e Ferizajt.

Por asnjë prej të dëmtuarve nuk është kompensuar nga komuna, pasi sipas drejtorit të Bujqësisë, nuk ka buxhet për kompensim.

Mirëpo, qeveria dhe Ministria e Bujqësisë kanë dhënë deklarata kontradiktore në pyetjen e KTV-së lidhur me fondin e veçantë për kompensimin e dëmeve.

Edhe Fermerët e Ferizajt protestojnë para komunës, duan kompensim të dëmeve nga breshëri Arbëri Fermerët e Ferizajt protestojnë para komunës, duan kompensim të dëmeve nga breshëri

Në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë është thënë se nuk ekziston një fond i veçantë për kompensimin e mjeteve dhe se janë duke përgatitur një raport për mundësitë e kompensimit përmes një buxheti shtesë ose të ndarjes së buxhetit nga ana e qeverisë.

Ndërsa në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit thuhet se do të shikohet këto ditë mundësia për kompensim pasi ekziston një fond i veçantë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë për kompensim të dëmeve nga të reshurat.