Fermerët e komunës së Ferizajt kanë organizuar një protestë para objektit të komunës për të kërkuar mbështetje institucionale për dëmet e shkaktuara nga breshëri më 5 maj të vitit të kaluar.
Sipas fermerëve, komisionet vlerësuese kanë konstatuar dëmin e shkaktuar në vlerë prej 800 mijë eurosh, ndërkohë Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për kompensim të dëmeve, mirëpo deri tashti një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Protestuesit kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera nëse Qeveria e Kosovës gjatë javës nuk e zbaton vendimin e saj. Në mbrojtje të protestuesve të martën, ka dalë edhe drejtori për Bujqësi në komunën e Ferizajt Burim Bajrami, i cili midis të tjerash ka thënë e Qeveria e Kosovës ka kompensuar fermerët e disa komunave të tjera, ndërkohë për fermerët e Ferizajt nuk ka lëvizur asgjë.

“Ne i kemi shqyrtuar ankesat e fermerëve dhe në pamundësi për t’i kompensuar si komunë i kemi dërguar në zyrën e kryeministrit, në ministrinë e financave etj, ndërkohë Qeveria e ka marrë vendim për kompensim të dëmeve, mirëpo prej vitit të kaluar nuk është bërë kompensimi”, ka thënë Bajrami, raporton Koha Ditore.
Sali Ilazi, fermer nga Ferizaj, ka thënë se nëse institucionet kompetente nuk reflektojnë gjatë javës, atëherë do t’ia dërgojnë Qeverisë së Kosovës të gjitha mjetet e punës me arsyetim se nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e tyre.
Në vendimin e kryeministrit Haradinaj, të datës 24 korrik të vitit 2018, midis të tjerash thuhet se të gjithë fermerët e dëmtuar do të kompensohen. “Vendim për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshëri në komunat e Kosovës. Autorizohet ministria e Financave për krijimin e një fondi të veçantë për vitin 2019 për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë”, thuhet midis të tjerash në vendimin e kryeministrit Haradinaj.