Njeriu i afërt i ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, është rrugës për t’u bërë konsull i Kosovës në Suedi.
Sheqir Kutllovci është propozuar për konsull në shtetin skandinav, i cili në shumë aktivitete partiake është parë bashkë me Pacollin e figura të tjera të AKR-së.
Në fakt, Kutllovci për periudha të ndryshme ka shërbyer si këshilltar i ish-ministrit të Brendshëm, Bejtush Gashi, dhe këshilltar i ish-ministres së Mjedisit, Albena Reshitaj.
Kutllovci ka konfirmuar për KTV-në se është propozuar për konsull, por që nuk ka dhënë detaje të tjera.
“I nderuar, jam i propozuar më herët për konsull në Suedi. Për informata të tjera mund të drejtoheni në MPJ”, ka thënë Kutllovci.
Edhe
Kurti takohet me Kallasin, kërkon që Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE
Derisa, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kanë thënë se nuk ka për momentin vendim që e emëron Kutllovcin konsull.
“Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk është marrë asnjë vendim, dhe si rrjedhojë, nuk është ndjekur asnjë procedurë për emërimin Konsull të z.Sheqir Kutllovci”, ka thënë Zyra për Media e MPJ-së
Përgjigje të ngjashme ka dhënë edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Fitim Sadiku.
“Ne nuk kemi pranuar kurrfarë vendimi nga Zyra e Ministrit për emërimin e z. Kutllovci për konsull. Vendimet që merren nga ministri, përcillen te sekretari i Përgjithshëm për ekzekutim”, ka thënë Fitim Sadiku.
Edhe
Sorensen sot në Kosovë për takim me Kurtin
Televizioni ka dërguar pyetje edhe në adresë të Zyrës së presidentit Hashim Thaçi, nëse MPJ-ja ka dërguar emrin e Sheqir Kutllovcit për dekretim konsull i Kosovës në Suedi, por nuk ka kthyer përgjigje.
KTV-ja ka raportuar në vazhdimësi për emërimet e këshilltarëve politikë e njerëzve të afërt me partinë e Behgjet Pacollit, AKR-së, nëpër misione diplomatike, përfshirë muajt e fundit kur Qeveria është vetëm në detyrë dhe e dorëhequr.