Të premten ka nisur zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Përderisa në Prishtinë procesi startoi pa ndonjë problem, në veriun e banuar kryesisht me serbë politikanët bënë thirrje për bojkot, por qytetarët thanë se janë të gatshëm të regjistrohen. E, për ata që refuzojnë të regjistrohen parashihen gjoba deri në 2 mijë euro.
Dy realitete e kanë përcjellë ditën e parë të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Ky proces që po bëhet 13 vjet pas regjistrimit të fundit ka nisur të realizohet normalisht në Prishtinë, por është refuzuar nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në veri.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati, ka treguar shkurt se çka përmban pyetësori për regjistrim.
“Regjistrimi i popullsisë ka pjesën e parë demografike që merren disa të dhëna demografike për individët. Pastaj ka fushën për nivelin e edukimit-shkollimit, çështjet sociale ekonomike, por ka disa pyetje edhe për shëndetin, që është shumë e rëndësishme për institucionet. Ndërsa për ekonomitë familjare merret përbërja, struktura e ekonomisë familjare, hapësira në të cilën jeton”, ka thënë Krasniqi.
Zyrtarisht, procesi nisi në Prishtinë.
Por në veriun e banuar kryesisht me serbë është paralajmëruar bojkoti i procesit. Qëndrimin për këtë e shprehu Lista Serbe.
Për telashe në veri ka folur kryetari i Zubin-Potokut, i cili njoftoi se nisja e regjistrimit është shtyrë për të hënën.
“Shumica e konkurrenteve regjistrues të shumicës serbe janë tërhequr nga konkurrenca për të qenë regjistrues. Kanë mbetur vetëm dy. Këto janë do shenja që do të na përcjellin do probleme teknike”, ka thënë kryetari Izmir Zeqiri.
Megjithëkëtë, për një tjetër realitet ka folur kryetari i Mitrovicës së Veriut.
“Nuk i kemi na këto problemet që u cekën më herët, me tabletë dhe me logjistikë e të tjera. Sot në komunën tonë në orën 8 të mëngjesit ekipet kanë dalë në teren”, ka thënë Erden Atiq.
Megjithëkëtë, përfaqësues të Agjencisë së Statistikave kanë thënë se regjistruesit dhe mbikëqyrësit e angazhuar ndodhen nën presion.
“Duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre, por ne kemi gjetur prapë regjistrues dhe të hënën do të fillojnë trajnimet për komunitetin serb në veri, në katër komunat dhe shpresojmë se edhe ata do të jenë të gatshëm. Mund të ketë ndonjë bojkotim ad-hoc apo ndonjë trysni mirëpo ne do të ecim para me procesin”, u shpreh Kastrati.
E, përderisa ka qëndrim nga zyrtarë të Listës Serbe për ta bojkotuar regjistrimin, serbë të veriut kanë thënë se do t’i përgjigjen pozitivisht procesit.
“Pse jo, le të dihet se sa popull ka, sa ka serbë dhe të kombësive të tjera e jo veç serbë”, ka thënë një qytetar serb.
“E di se fillon regjistrimi dhe do të marr pjesë ngase konsideroj se të gjithë qytetarët që jetojnë këtu duhet të regjistrohen, e veçmas ne. Le të dihet se ekzistojmë”, ka deklaruar Nada Bërklijaq, banore e Mitrovicës së Veriut.
Katër komunat e veriut janë të vetmet në të cilat nuk është realizuar as procesi paraprak i regjistrimit, ai i vitit 2011.
Zyrtarë të Agjencisë së Statistikave paralajmëruan masa ndëshkuese për ata që në çfarëdo mënyre i ikin procesit. Ata treguan se do të shqiptohen gjobat deri në 2 mijë euro për ata që refuzojnë të regjistrohen.