Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Refuzimi i hetimeve, Abdixhiku: Pushteti po i frikësohet së vërtetës për energjinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pushteti po i frikësohet të vërtetës për krizën energjike, prandaj nuk votoi për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar të martën në Kuvend.

Abdixhiku ka thënë se ky Komision, përveç krizës energjetike, do t’i hetonte edhe punësimet, siç i cilëson ai, nepotike në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike - një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK. Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

Abdixhiku ka thënë se konstruktiviteti i deputetëve të LDK-së është marrë si i mirëqenë nga Qeveria, një gjë që sipas tij, nuk do të ndodhë më pa themelimin e këtij Komisioni.

“Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë - e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frikësohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë. Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë - asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Në seancën e sotme, vetëm 33 deputetë votuan pro themelimit të këtij Komisioni. Pas kësaj, partitë opozitare lëshuan seancën dhe kërcënuan se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e Komisionit hetimor.