Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ymeri aludon se prapa negociatave të Abdixhikut fshihet “një hall i madh”, përmend energjinë elektrike

Lumir Abdixhiku * Janina Ymeri

Foto: Ilustrim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për deklarata të pavërteta, teksa ka aluduar se prapa negociatave për çështjen e presidentit po “fshihet një hall i madh”, duke e përmendur edhe çështjen e energjisë elektrike.

Në një shkrim në Facebook, ajo ka komentuar deklaratat e Abdixhikut tek është shprehur se Ymeri i ka thënë që “nuk ndien për partinë”.

“Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes. ​Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua. E para, ferizajasit nuk flasin me "s'nDi"... kush më njeh e di se si flas. E dyta, as që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm? ​Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit. Për më tepër, e kam përmbyllur deklaratën duke thënë se i kam parasysh pasojat nga organet e partisë dhe i respektoj ato, por ky mbetet qëndrimi im”, ka shkruar ajo në Facebook të enjten.

Ymeri është pjesë e gjashtë deputetëve të LDK-së që dolën kundër marrëveshjes së partisë me Vetëvendosjen për të kandiduar Bekim Sejdiun për president. Këta deputetë kundërshtues thanë se nuk duan zgjatjen e pushtetit për Albin Kurtin e VV-së. Pa votat e tyre, detyrohet zgjerimi i marrëveshjes me parti të tjera për të siguruar kuorumin e nevojshëm në Kuvend.

Refuzimi i tyre ka nxitur tensione të reja në LDK. Abdixhiku i ka kritikuar ashpër këta deputetë teksa ka paralajmëruar edhe masa.

Për deklaratat dhe negociatat e Abdixhikut, Ymeri ka thënë se “po fshihet një hall i madh”.

“​Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë. ​Këtë postim nuk e bëra për t'u arsyetuar, se fundja dëshmitar kam Zotin, që është më se i mjaftueshëm, por dua t'i tregoj gjithsecilit se çfarë ndodh dhe si ndryshojnë njerëzit në luftën pro dhe kundër mafisë e së keqes. ​Thënë këtë, jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka shtuar ajo.

Ymeri ka qenë një prej deputeteve që vazhdimisht ka akuzuar qeverinë Kurti për “dallavere me energjetikë”.

Guri i reagon Ymerit, e akuzon për mosmirënjohje e palogjikshmëri

1 muaj më parë / 3 sht 2026 15:50
Paris Guri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, i ka reaguar bashkëpartiakes së tij, Janina Ymeri, që aludoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mund të jetë i përfshirë në çështjet e tregtisë së energjisë elektrike.

Në një shkrim në Facebook, Guri e ka cilësuar Ymerin si mosmirënjohëse dhe të palogjikshme.

“Sot një deputete e LDK-së e akuzoi kryetarin e LDK-së për “mafi energjetike”.

Ironia është se, nëse do ta ndiqnim logjikën e kësaj akuze, ajo vetë duhet ta shpjegojë një fakt shumë të thjeshtë: kush ia hapi derën për t’u bërë deputete, dhe cila është kauza për të cilën u nominua. Po pra pikërisht se e kishte kauzën e mafisë energjetike. Përtej palogjikshmërisë së një akuze të tille ndaj kryetarit të cilit para disa muajve deklaronte se “i besoj liderit tim”, cila është logjika që nje person i cili qenka pjesë e mafisë, të bëj çmos që ti të zgjidheshe deputete”, ka shkruar fillimisht Guri në Facebook.

Tutje ai ka thënë se Abdixhiku pati vendosur t’i jepte besim politik Ymerit duke e përfshirë në 20 numrat e parë të listës zgjedhore, edhe pse në Ferizaj ka pasur vetëm 123 vota për asamble.

“Po e tregoj një episod personal. Para zgjedhjeve të dhjetorit, si deputet i legjislaturës së 9-të, i kërkova kryetarit Abdixhiku që të më radhiste në njëzetshen e parë të listës së LDK-së. Përgjigjja e tij ishte: “Paris, nuk mundem, sepse Janina po kërkon të jetë në top 20.” Dhe nuk mundem tre nga i njejti qytet të jenë në 20she. Unë isha deputet i zgjedhur. Ndër deputët më të sulmuar e të linquar nga pushteti, ndërkohë Janina vinte nga dega e Ferizajt me 123 vota. Megjithatë, kryetari vendosi t’i jepte asaj hapësirë dhe besim politik. E vendosi në listë, e radhiti lart dhe i dha mundësinë që sot të jetë aty ku është”, ka thënë Guri.

Guri i është drejtuar Ymerit duke i thënë se “mirënjohja nuk duhet të zgjasë vetëm deri në momentin kur ambicia personale bëhet më e madhe se kujtesa”.

“Prandaj, kur sot dëgjoj akuza për “mafi energjetike”, më lind një pyetje shumë e thjeshtë: Nëse Lumir Abdixhiku qenka pjesë e “mafias energjetike”, atëherë pse pikërisht ai zgjodhi, promovoi dhe i hapi rrugën politike një prej njerëzve që sot e akuzon për të. Madje këtë e ka thënë edhe deputetja para 3 muajve. Mospajtimi politik është normal. Kritika është e drejtë. Por mirënjohja nuk duhet të zgjasë vetëm deri në momentin kur ambicia personale bëhet më e madhe se kujtesa. Sepse njerëzit mund të harrojnë shumëçka. Por faktet kanë një ves të keq: mbesin”, ka përfunduar ai.

Guri e ka shoqëruar shkrimin me një deklaratë të mëhershme të Ymerit duke mohuar pretendimet se bashkëshortja e kryetarit të LDK-së ka qenë e përfshirë në tregti me energji elektrike.