Ismajl Kastrati ishte gjenerata e parë që ka përfunduar filloren në shkollën “Asllan Thaçi”, në Karaqevë të Ulët.
Kastrati e quan absurde idenë e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për mbylljen e kësaj shkolle, raporton KTV.
Ai thotë se hapja e kësaj shkolle është përcjellë me shumë sfida dhe është e papranueshme që tani të mbyllet.
Banorët e tjerë të këtij fshati, që disa i kanë fëmijët në këtë shkollë e disa të tjerë, nipat, thonë se shpërngulja e banorëve, nëse mbyllet shkolla, është e pandalshme.
Ndërsa në Komunën e Kamenicës, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se vendimi nuk është marrë ende dhe është vetëm propozim për riorganizim të sistemit të arsimit.
Nëse ky propozim miratohet, nxënësit e ciklit të ulët të fshatit Karaqevë e Ulët do të vijojnë mësimin në fshatin Roganë, e nxënësit prej klasës së 6 deri në të 9-ën mësimet do t’i ndjekin në Karaqevë të Epërme.
Reforma e propozuar nga Kastrati parasheh mbyllje të shkollave që kanë numër të vogël nxënësish.
Nga 29 shkolla, sa ka aktualisht kjo komunë, me reformat e reja mund të mbesin vetëm 8 sosh.