Përkundër vendimit të kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati për riorganizim të sistemit arsimor në komunën që ai drejton, një gjë e tillë në ditën e parë të procesit mësimor nuk është përfillur.
Nga katër fshatra që kanë qenë të përfshira në reforma, me mbi 200 nxënës, vetëm 5 nxënës kanë dalur për të vijuar mësimin në dy shkollat në qytetin e Kamenicës.
Shkolla e mesme e ulët “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, pavarësisht vendimit për mbyllje, këtë të hënë ka vazhduar mësimin normalisht.
Nxënësja e klasës së pestë nga ky fshat, Jona Maliqi për KosovaPress, i renditi të gjitha arsyet që nuk do të dalin për të mësuar në qytet.
“Dimri këtu është i vështirë edhe jena më të vogël, e kam një vëlla dhe një motër, jena të vogël. Dimri është i vështirë edhe me autobus është vështirë me udhëtu edhe jam mësu këtu ma mirë”, thotë ajo.
Edhe
Shfuqizohet pjesërisht vendimi për riorganizim të arsimit në Kamenicë
Më kritik ndaj kryetarit Kastrati, shprehet mësimdhënësi i kësaj shkolle, Hamdi Maliqi.
Ai i vendosur thotë se mësimi në këtë shkollë do të vazhdojë.
“Reforma që ka fillu kryetari i komunës nuk është aspak e qëlluar, veçmas për fshatin tonë, si fshat malor edhe do të paraqet vështirësi për udhëtimin e nxënësve.. Ne do të punojmë ashtu siç kemi punuar deri tash do të punojmë edhe më tutje. Të gjithë prindritë janë kategoritë që këtu të vijohet mësimi”, thotë ai.
Se nuk ka interesim që këta nxënës të kësaj shkolle të vijojnë mësimin në qytet, e thotë edhe drejtori Mustafa Rudhani i shkollës së mesme të ulët, “Fan Noli”, ku do të duhej të vazhdonin mësimin nxënësit e fshatit Busavatë.
“Sipas vendimit të nxjerr nga kryetari i komunës, në shkollën tonë duhet të vijë edhe shkolla Hasan Prishtina nga Busavati e cila ka 103 nxënës. Kësaj thirrje iu kanë përgjigjur në ciklin e lartë vetëm një nxënës, ciklin e ulët nuk e di”, thotë ai.
Edhe
Kreu i Kamenicës e quan çështje të mbyllur reformën në arsim, kundërkandidatët premtojnë ta zhbëjnë atë
E shkolla tjetër në qytetit, “Dëshmorët e Kombit”, ku sipas plani të komunës duhet të vijojnë mësimin nxënësit nga tri fshatra, Krilevë, Tugjec, Strezoc, nga 95 nxënës, përgjigjen vetëm katër sosh.
Drejtori i shkollës, Hazir Berisha tha se gjithë parapërgatitjet për këtë riorganizim i kanë bërë, derisa shtoi se tani më është vullnet i nxënësve.
“Përgatitjet i kemi pasur, aktualisht sot i kemi pas vetëm 4 nxënës që na kanë ardhur nga Strezovci. Nga fshatrat tjetër nuk ka ardhur asnjë”, thotë ai.
Nga përfaqësuesit komunal, drejtoresha e arsimit në Kamenicë, Mirhane Morina tha se në ditën e sotme ka filluar vetëm faza e parë e riorganizimit të sistemit arsimor.,
Edhe
Supremja i jep të drejtë Kastratit për reformën në arsim, refuzon kërkesën e prindërve të Busavatës
Përkundër mos interesimit që nxënësit e këtyre fshatrave të vijojnë mësimin në dy shkollat në qytet, ajo i bëri thirrje prindërve të reflektojnë dhe t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.
“Ajo çka ne presim është që prindërit të reflektojnë si subjekte qe kanë rendësi që mendimi i tyre të jetë për riorganizimin. Ne e kemi qëllimin edhe besimin që ata të reflektojnë dhe nuk kemi mundësi të dytë, thotë ajo/KSP.