Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rasti “Pronto”: Apeli së shpejti vendos për ankesën e Prokurorisë Speciale

Katër muaj pas aktgjykimit lirues në rastin e njohur si “Pronto”, Gjykata e Apelit ka pranuar këtë lëndë për shqyrtim.

Derisa kjo lëndë pret një opinion ligjor nga Prokuroria e Apelit, zyrtarë të Gjykatës së Apelit thonë se ajo do të trajtohet me prioritet.

Megjithatë, Arbër Jashari nga Gjykata e Apelit thotë se pengesë për këtë rast mund të jetë nëse vendoset që të caktohet një seancë e kolegjiumit, sepse sipas tij që nga marrja e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në këtë gjykatë nuk ka pasur seanca të tilla, raporton KOHA.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari, në një përgjigje me shkrim për KOHËN ka thënë se ajo më 12 mars ka dorëzuar kundërshtimet e saj në aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kërkuar nga Apeli që të akuzuarit të shpallen fajtorë ose lënda të kthehet në rigjykim.

"Sa i përket propozimit për rigjykim, në veçanti kam cekur faktin se gjykata e shkallës së parë fare nuk e ka bërë analizën e as vlerësimin e provave materiale dhe përgjimeve telefonike mbi të cilat është ndërtuar aktakuza e Prokurorisë, por i ka vlerësuar rrethanat të cilat i shkojnë në favor të akuzuarve”, ka thënë Drita Hajdari, prokurore.

Por, Florent Latifaj, avokat i njërit nga të akuzuarit kryesor në këtë rast, Adem Grabovci, ka thënë se i janë përgjigjur ankesës së prokurores duke kërkuar që ta refuzojë atë si të pabazuar ngase, sipas Latifajt, ankesën e saj, prokurorja e mbështet në çështje krejt procedurale e të cilat nuk janë shkelje që mund të çonin në prishje të aktgjykimit.

“Pas pranimit të ankesës nga ana e Prokurorisë Speciale, në afatin ligjor kam paraqitur përgjigjën time në ankesën e Prokurorisë. Kam kërkuar nga Gjykata e Apelit Departamenti Special, që ankesën e prokurorisë ta refuzojë si të pabazuar, ngase e njëjta ankesën e mbështet në çështje krejt procedurale, të cilat në asnjë moment nuk paraqesin shkelje të natyrës së tillë te cilat do të qonin ne prishjen e aktgjykimit. Aktgjykimi i shkallës së parë ka paraqitur në mënyrë të plotë dhe të saktë të gjitha faktet dhe provat në të cilat e ka mbështetur vendimin e saj, si dhe ka dhënë arsyeje të mjaftueshme se pse ka refuzuar çdo pikë te aktakuzës. Andaj, duke u bazuar në të lartpërmendurat kam kërkuar që aktgjykimi të vërtetohet”, ka thënë avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj.

Edhe Akuza e brishtë lë të lirë “Pronton” Arbëri 6 v. më parë Akuza e brishtë lë të lirë “Pronton”

Në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë i liroi si të pafajshëm 11 të akuzuarit në rastin “Pronto”.

Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj e 8 të tjerë u liruan nga akuzat për “Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Ndonëse në janar të këtij viti ishte shpallur aktgjykimi lirues, trupit gjykues të udhëhequr nga Shashivar Hoti i ishin dashur dy muaj kohë që ta përpilonte këtë aktgjykim.