Ka nisur rigjykimi ndaj Lutfi Dervishit dhe të tjerëve në rastin Medicus.
Por, në arrati vazhdon të jetë djali i tij Arbani, i cili i ka vënë kusht Gjykatës që do të kthehet në Kosovë nëse hiqet urdhërarresti ndaj tij dhe zëvendësohet me arrest shtëpiak ose dorëzani, raporton KTV.
Gjykata nuk ka pranuar këtë dhe kështu ka vendosur ta veçojë procedurën ndaj Arban Dervishit.
Urologu Lutfi Dervishi dhe djali i tij Arbani ishin dënuar me nga 8 vjet burgim, derisa Sokol Hajdini me 5 vjet burgim nga Gjykata e Apelit.
Por rastin në rigjykim e ktheu Gjykata Supreme. Akuzat kanë të bëjnë më trafikim me qenie njerëzore, krim të organizuar dhe lëndim të rëndë trupor. Prokuroria pretendon se në vitin 2008 në klinikën Medicus në Fushë Kosovë, të pandehurit, bashkë me turkun Yosuf Somnez dhe izraelitin Moshe Harel, kanë joshur viktima nga vende të varfra, duke ua marrë veshkat për çmime rreth 10 mijë euro.
Ato pastaj ua kanë transplantuar të interesuarve nga Izraeli, Kanadaja e vende të tjera për çmime deri në 100 mijë euro. Viktima dhuruese e veshkës u operua dhe pastaj veshka iu transplantua te pranuesi që pagoi 90 mijë euro për opracionin e transplantit, para të cilat u transferuan në xhirollogarinë e Moshe Harel në Turqi.
Edhe një herë tjetër, ata janë deklaruar të pafajshëm. Rasti do të vazhdojë me shqyrtimin e dytë fillestar.