Arbëri

Rashiqi e lë të hapur moskandidimin për nënkryetar të Kuvendit

Nenad Rashiq

Deputeti nga komuniteti serb Nenad Rashiq, por që nuk është pjesë e Listës Serbe, ka thënë se nuk sheh hapësirë për kandidimin e tij në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, mesa ka kuptuar nga aktgjykimi i Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit, Listës Serbe i takon e drejta e propozimit.

“Unë sot e lexova vendimin e Gjykatës Kushtetuese, unë mesa e kuptoj nuk ka lënë hapësirë tjetër përveç që Lista Serbe i takon e drejta e propozimit...Nëse e kam lexuar mirë, nuk shoh jo vetëm të arsyeshme, por as brenda ligjit e aktgjykimit që e kam të drejtën e kandidimit. Sot ose sonte do të flas me shokë të mi që e dinë Kushtetutën më mirë se unë”, ka thënë ai.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive është specifikuar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund ta bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e ndonjë deputeti për nënkryetar.

Në pikën 148 të vendimit, Gjykata ka konstatuar se Kuvendit i mundësohet të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia të ketë kuorum.

Teksa ka konstatuar se deputetët nuk kanë konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Gjykata ka thënë se “në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: ‘Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje’”.