Nga 417 pacientë që në vitin 2020 kanë qëndruar në Mjekimin Intensiv, 155 prej tyre kanë marrë infeksion në spital. Megjithatë, rastet e infeksionit brendaspitalor në këtë klinikë, vitin e kaluar kanë qenë më të ulëta se në vitin 2019. Në raportin e siguruar nga KOHA, që ka të bëjë me shkallën e infeksioneve brendaspitalore, del që në Klinikën e Neonatologjisë shkalla e infeksioneve për një vit është rritur prej 4 për qind.
Vetëm një mjek dhe tre infermierë janë përgjegjës për të monitoruar shkallën e infeksioneve brendaspitalore në krejt Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Ekipi i përbërë prej tyre ka hartuar një raport përmbledhës për situatën me infeksionet brendaspitalore, për nëntë klinika.
Të dhëna të pakta e të paqarta janë të shkruara në këtë dokument me vetëm katër faqe, i cili është nxjerrë në fund të prillit të kaluar.
Nuk është treguar se sa mostra janë analizuar, kush i ka bërë këto analiza e as me çfarë metode. Raporti nuk përmban asnjë referencë.
Një nga klinikat që në raport me vitet e kaluara ka rritje të infeksioneve brendaspitalore është ajo e Neonatogjisë.
Për një vit është rritur shkalla e infeksioneve për rreth 4 për qind.
“Në bazë të të dhënave, gjatë vitit 2020, në Klinikën e Neonatologjisë, në Njësinë Intensive, kanë qenë gjithsej 1.274 pacientë të pranuar, prej tyre 150 kanë qenë me infeksion brendaspitalor”, shkruhet në raport.
Nё bazё tё këtij raporti del se 11.77 për qind e pacientёve tё shtruar nё Klinikёn e Neonatologjisё kanё pasur infeksione brendaspitalore.
Rritja e infeksioneve brendaspitalore në këtë klinikë, sipas raportit, është për shkak të mungesës së stafit.
“E gjitha kjo, sipas të dhënave nga menaxhmenti dhe personave ndërlidhës të kësaj klinike, ka ardhur si pasojë e numrit të vogël të stafit dhe mungesës së pajisjeve personale mbrojtëse. Meqenëse viti 2020 ishte vit pandemik, nga infermierët ndërvarës kemi pasur edhe raportin për të infektuarit me virusin Sars Cov2 (korrik 2 pacientë) gusht një (1) dhe shtator një (1)”, shkruhet në raport.
Klinika kampione për infeksione brendaspitalore është mjekimi intensiv Qendror. Ani pse në vitin 2019 ka qenë në shkallë më të lartë, vitin e kaluar infeksionet brendaspitalore ishin 37 për qind.
“Gjatë këtij dymbëdhjetëmujori të vitit 2020, në mjekimin intensiv gjithsej kanë qenë 417 pranime, prej të cilëve 155 kanë pasur infeksione spitalore, që i bie në përqindje 37.1% (në vitin paraprak 2019) kanë qenë 48%”, shkruhet në raport.
Në këtë raport është kërkuar rritje e numrit të njerëzve që punojnë në këtë ekip, madje ka ankesa për zyrë dhe kërkesë për pajisje me kompjuterë.
Një kërkesë tjetër, që del nga raporti, është edhe largimi i klimave shtëpiake, me theks të veçantë në sallat e operimit.
Infeksionet intraspitalore merren gjatë trajtimit dhe hospitalizimit të pacientëve në spitale.