Arbëri

Raporti i Progresit: VV-ja merr meritat, PDK-ja ia spikat kritikat

Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si më të mirin deri më tash. Për progresin e shënuar, partia në pushtet i mori meritat, derisa tha të mos pajtohet me vlerësimet për rastet ku është cekur se ka pasur progres të kufizuar. Raportin për Kosovën e interpretoi ndryshe Partia Demokratike, e cila tha se në të gjitha fushat është evidentuar mungesë progresi apo progres në fazë të hershme. Për ta shtjelluar atë, PDK-ja do të ftojë një seancë plenare.

Raporti i sivjetmë për Kosovën u cilësua si më i miri deri më tash nga partia në pushtet.

Nëpërmjet një konference për media, Lëvizja Vetëvendosje ia faturoi vetes progresin që u tha të jetë evidentuar në këtë raport të Komisionit Evropian.

“Derisa në të gjitha raportet e kaluara ndërhyrjet dhe ndikimet politike evidentoheshin si fenomene shqetësuese, në këtë raport evidentohen zero ndërhyrje dhe zero ndikim politik. Ky është raporti i parë ku evidentohet shumë më shumë progres dhe nuk evidentohet regres apo kthim prapa”, ka thënë deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli.

Në raport, për çështjen e luftimit të korrupsionit, KE-ja ka thënë se është arritur njëfarë progresi, por me këtë vlerësim nuk u pajtua LVV-ja.

“Neve duhet të bëhemi pak më të sinqertë dhe ta analizojmë raportin dhe të kërkojmë nga Bashkimi Evropian që herave të tjera, përnjëmend të reflektohet në punën që e ka bërë Qeveria”, ka thënë Pacolli.

Në këtë parti kanë analizuar qasjen e Komisionit Evropian edhe në Raportin për Serbinë, ku thanë se një sërë rrethanash e sjelljesh joevropiane Komisioni nuk i ka përfshirë.

“Gjatë kohës që e mbulon ky raport, ka pasur ngritje të avionëve pranë kufijve të Kosovës, ka pasur kërcënime të vazhdueshme ndaj sigurisë së vendit tonë dhe ka pasur një sjellje ose bashkëpunim dhe përafrim të Serbisë me Rusinë e cila nuk evidentohet në raport, as tek Ballkani Perëndimor as në Raportin e Serbisë”, ka shtuar deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja.

E me këtë ironizoi Partia Demokratike.

“Me të thënë të drejtën ajo më shumë ke një lloj preskonference që iu adresuan kritika Bashkimit Evropian se si po e trajton Serbinë dhe vendet e rajonit, pra i dha shkollë BE-së Vetëvendosja sesa që i adresoi shumë çështjet e raportit për vendin. Pra, unë mendoj që edhe BE-ja ka qenë mjaftueshëm e vëmendshme me mbajt shënime me ato kritika që i dha Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Për arritjet në raport, PDK-ja tha se kanë gisht edhe partitë opozitare, me mbështetje të legjislacionit.

“Në këtë raport të fundit të progresit për Kosovën është se në shumicën e fushave ka pasur progres të limituar dhe ne nuk kemi parë një angazhim të mjaftueshëm të kësaj qeverie për të punuar dhe angazhuar më shumë në secilin sektor. Asnjë ndryshim për aspiratën integruese të Kosovës dhe nuk ka asnjë reformë të thellë të cilën raporti për vendin e potencon”, u shpreh deputetja Blerta Deliu.

Për të diskutuar për raportin, PDK-ja tha se do të ftojë një seancë plenare.