Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Raporti i Progresit, Palokaj: Nuk është në nivel të duhur, por gjithsesi nuk ka regres

Progresi në Kosovë ka qenë “i limituar”, ka konkluduar Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën këtë vit.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se megjithëse nuk është në nivelin më të mirë, të paktën nuk ka regres.

“Kjo është niveli më i ulët i përparimit, pra ka pak përparim. Notë më e ulët është kur thuhet nuk ka fare përparim. Thuhet se progresi ka qenë i limituar, progresi i limituar nuk është progres i duhur, është humbje kohe, por gjithsesi nuk shënon regres”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Palokaj ka shtuar se në raport hapësirë më të madhe i është dhënë dialogut Kosovë-Serbi, gjë që nuk ka qenë në vitet e kaluara. Ndërkaq, ka veçuar se raporti përmend një draft të propozuar nga Serbia të cilin Komisioni e vlerëson se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet.

“Në raport ka shumë hapësirë për dialogun më shumë se herëve të tjera, pasi për të dyja vendet përmbushja e zotimeve nga dialogu përmenden si kritere për të avancuar në rrugëtimin evropian. Por kësaj radhe i referohen edhe situatës së sigurisë në Kosovës që kishte nisur të tensionohej qysh para një viti. Kosova kritikohet se nuk ka nisur zbatimin e obligimit për krijimin e Asociacionit. Bëhet thirrje që të nisë menjëherë pa parakushte në bazë të propozimit evropian. Është interesant që këtu thuhet që një draft i propozuar në muajin maj që ishte draft i Serbisë, nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet nga dialogu”, ka theksuar ai.

Palokaj ka thënë se për dallim nga raportet e mëhershme, Serbia tash kritikohet.

“Për dallim nga raportet më herët, Serbia vërtet kritikohet për mungesë të gatishmërisë së zbatimit të marrëveshjeve. Kritikohet Serbia për tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkoti të institucioneve. Kritikohet edhe për mungesë të gatishmërisë për njohjen e diplomave, kadastrave, mos-hapjen e urës në Mitrovicë e të tjera. E sa i përket sulmit në Banjskë, bëhet ftesë që ai incident të mos shfrytëzohet për të devijuar fokusin nga dialogu”.

Edhe Palokaj për draft-raportin e progresit: Kosova progres të kufizuar, Serbia kthim prapa Arbëri Palokaj për draft-raportin e progresit: Kosova progres të kufizuar, Serbia kthim prapa

Kurse, për sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, Palokaj ka treguar se raporti i referohet si “sulm i dhunshëm” pavarësisht deklaratave të mëhershme të Komisionit që sulmin e quante “terrorist”.

“Pa marrë parasysh se Borrell në publik e ka përdorur termin sulm terrorist, këtu në një pjesë quhet si sulm i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, kërkohet bashkëpunimi i Serbisë. në një pjesë tjetër përmendet pak a shumë si përleshje e Policisë me jo grup po individë të armatosur rëndë gjatë një operacioni të trafikimit të armëve. Këtu disa diplomatë thonë se ndoshta shihet tentim që të shihet si mënyrë më të favorshme për Serbinë për të evituar sanksionimin e Serbisë. Fjalori që përdoret nuk është në përputhje me fjalorin që është përdorur nga Borrelli”, ka deklaruar Palokaj.