Arbëri

Rama thotë se është ftuar nga Trumpi për të qenë në Bordin e Paqes

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar dhe e kryesuar nga vetë Trumpi, ku Shqipëria është ftuar si anëtare themeluese.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Rama është shprehur se ndihet “shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump”, duke e cilësuar këtë si arritje të rëndësishme ndërkombëtare për Shqipërinë dhe si dëshmi të rritjes së prestigjit të vendit në arenën globale.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë më parë”, ka shkruar Rama, duke theksuar se kjo ftesë pasqyron edhe nivelin e lartë të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas kryeministrit, ftesa për t’u bërë pjesë e këtij bordi ndërkombëtar vjen me “një respekt dhe vlerësim të posaçëm” nga presidenti Trump dhe përbën një tjetër hap përpara në rolin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare e konceptuar nga administrata Trump për të mbikëqyrur fazën tranzitore të administrimit, sigurimit dhe rindërtimit të Gazës, pas armëpushimit në zonë. Bordit i është dhënë edhe mbështetje nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes Rezolutës 2803.

Bordi ekzekutiv përbëhet kryesisht nga njerëzit e afërt të Trumpit, përfshirë edhe ish-kryeministrin e Britanisë, Tony Blair.

Ndërkohë ftesa për t’u bërë pjesë e Bordit i ka shkuar edhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, atij të Argjentinës, Javier Milei e liderëve të tjerë.