Arbëri

Rama s'i “gëzohet qëndrimit të ashpër të eurodeputetëve ndaj opozitës”, Basha u thotë të mos kërkojnë diçka që s'ia duan shteteve të tyre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratën e delegacionit të Parlamentit Evropian për krizën politike në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Twitter” ka thënë se nuk ndjen asnjë gëzim për qëndrimin e ashpër që eurodeputetët mbajtën ndaj opozitës.

“Asnjë gëzim për qëndrimin e ashpër në bllok të europarlamentarëve kundër arratisë së opozitës parlamentare nga detyra dhe fusha e logjikës demokratike! Çfarë sikleti kur mendon se sa më keq se sa thonë u duket atyre, kjo shfaqje brutale dritëshkurtësie ndaj njerëzve e vendit”, shprehet kryeministri Edi Rama.

Ndërkaq Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike në Shqipëri, u ka thënë delegacionit të Parlamentit Evropian që të mos kërkojnë nga ata diçka që nuk do e donin për vendin e tyre. Ai tutje ka shtuar se në Shqipëri nuk ka parlament por bandë kriminelësh.

“Nuk ka parlament, por një bandë kriminelësh. Mos më kërkoni asgjë që nuk do ta pranonit për popujt tuaj! Partia Demokratike, unë, Lulzim Basha, dhe jam i bindur se çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, jemi të vendosur që përmes këtij rrugëtimi të sjellim standardet dhe vlerat evropiane në Shqipëri. Rrugën drejt Evropës e pengon krimi dhe korrupsioni. Sakrifica e opozitës është për të rikthyer demokracinë e vërtetë, për të mos qene fasadë e një parlamenti prodhim i krimit”, ka thënë Basha.

Edhe pse 7 të deleguarit e Parlamentit Evropian rrëzuan kushtin e vendosur prej tij për krijimin e një qeverie transitore pa kryeministër Edi Ramën, Basha tha se në betejën e tij do t’i bindet sovranit deri në largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Ne ju bindemi urdhrave të sovranit do gërshetojmë protestat dhe mosbindjen civile dhe të gjitha aktet e tjera të revoltës e zemërimit qytetar kudër bandës që ka kapur shtetin”, tha ai.

Një delegacion prej 7 deputetësh të Parlamentit Evropian zhvilluan prej dy ditësh takime me palët politike në Shqipëri pas situatës së krijuar nga djegia e mandateve të opozitës. Sot delegacioni i PE doli me një qëndrim, duke rrëzuar kauzën dhe mjetet e opozitës.