Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Shqipëria e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës teksa i është bashkuar thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtensionim të menjëhershëm dhe largim të forcave ushtarake serbe nga afërsia me Kosovën.

Ai ka kërkuar po ashtu që “lidershipi i Kosovës dhe i Serbisë të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi”.

“Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Rama është kritikuar në Kosovë e Shqipëri pasi të enjten kërkoi që NATO-ja të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.