Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me deklaratat dhe qëndrimet nga Greqia për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa pas shkëmbimit me armë zjarri ndaj forcave RENEA.
“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, deklaron Rama.
Ndërkohë edhe Policia e Shtetit ka dhënë versionin e plotë, duke sqaruar edhe një herë rrethanat e ngjarjes ku humbi jetën 35 vjeçari në Bularat pas shkëmbimit me armë zjarri në drejtim të efektivëve të policisë.
Deklarata e plotë e Policisë:
Gjatë ditës së sotme datë 28.10.2018, rreth orës 10.00, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull të Rrethit Gjirokastër ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Edhe
Policia e Shqipërisë sqaron vrasjen e minoritarit grek, qëlloi kundër forcave speciale
Punonjësit e Policisë të cilët ishin të planizuar me shërbim në fshatin Bularat kanë shkuar menjëherë në drejtim të vendit nga u dëgjuan të shtënat me armë.
Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë.
Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e policisë kanë kërkuar mbështetje me efektivë shtesë si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë.
Në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor.
Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e situatës së pazakontë për forcat vendore.
Me mbërritjen në vendngjarje, kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë nuk është bërë e mundur gjetja e tij dhe në këtë kohë ka nisur krehja e zonës.
Forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.
Edhe
Nëna e Kacifasit: Do të vras Edi Ramën
Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa, ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.
Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.
Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa.
Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamuflazh.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër si dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryejnë veprimet në vendngjarje.

Ka reaguar edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, që duke shprehur keqardhjen për ngjarjen, shprehu po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.
“Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e Shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar”, thuhet në deklaratë.
Edhe
Sot varrimi i Kacifas, 8 ekstremistë grekë nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.
“Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, përfundon qëndrimi i MEPJ lidhur me ngjarjen.