Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Normalizimi i marrëdhënieve, gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë Kosovës e Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nëse arrihet marrëveshje për zbatimin e Planit evropian, do të jetë sipas tij, gjëja më e mirë që mund t’u ndodhte Kosovës e Serbisë.

Në një konferencë për media së bashku me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhleyi, kryeministri Rama ka thënë se e sheh me admirim përpjekjen e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai pret që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, ta përqafojnë këtë Plan.

“Ne e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Plani evropian është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra palë s’do t’ia lejojë vetës të mos e përqafojë plotësisht, sepse realisht BE-ja përmes jush, në bashkëpunim me SHBA-në, i kanë ofruar një rrugë të re dhe një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në procesin e njohjes reciproke”, ka thënë Rama të enjten.

Rama e Borrelli janë takuar në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit për Shqipërinë, që po mbahet në Tiranë.

Takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.