Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka pritur të marten kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në shtëpinë e tij në Prapashticë.
Rama ka nisur të hënën vizitën dyditëshe në Kosovë. Takimi i parë i paraparë në ditën e dytë të vizitës ishte ai me Mustafën, fillimisht i paraparë të mbahet në selinë e LDK-së, por që u zhvendos.
Ramën, pas këtij takimi, do ta presë edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në agjendën e kryeministrit të Shqipërisë përfshihet edhe takimi me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Megjithatë, Haradinaj ka deklaruar se nuk do të takohet me Ramën, shkaku i një përplasjeje të mëparshme.
Rama ka paralajmëruar një konferencë shtypi në orën 14:00, në fund të vizitës së tij. Të hënën ai kishte bërë të ditur se arsye e vizitës së tij në Kosovë është aktakuza në Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.