Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar deklaratën e shumëpërfolur të presidentit francez, Emmanuel Macron, për çështjen e vizave për Kosovën. Sipas Ramës, Macroni “nuk do të hapë rrugë nëse Prishtina nuk i hap rrugë dakordësisë së planit franko-gjerman”.
Dy ditë më parë, Macroni nga Tirana kërcënoi për çështjen e vizave duke thënë se Franca i ka hequr vizat për kosovarët nga 1 janari 2024, në mirëbesim, duke shtuar se megjithatë “tash nuk po mbahet fjala”. Lajmi tronditi opinionin në Kosovë, pasi fillimisht u interpretua si “vendim që Franca ka pezulluar liberalizimin”.
Duke komentuar këtë deklaratë, Rama ka thënë se Macroni “është i lënduar” për procesin e dialogut.
“Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët ai është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman”, ka thënë Rama në TV Klan.
Rama ka shtuar se deklarata e Macronit “duhet të lexohet mirë” sepse, sipas tij, ai “foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti”.
“Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës”, ka thënë Rama.
-
Ambasadori francez për liberalizimin e vizave: Rrezik nëse s’dëgjohet mesazhi i Macronit
-
Franca kërcënon me pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën
-
Deklarata e Macronit për vizat vlerësohet si presion e jo kërcënim
-
Macroni kërcënon me vizat: Fjala s’po mbahet
-
Rama s’përjashton mundësinë e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Tiranë