Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe rihap rrugën e procesit të dialogut. Ai shkroi në Twitter të hënën se lirimi i jep fund dhe heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve “që s’kanë kryer asnjë krim”.
Sipas Ramës, me forcën e arsyes duhet të nisë menjëherë shtensinimi dhe të zgjidhen nyjat e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë. Sapo kemi mbërritur në Bruksel, ku pas pak do të takohem me Presidentin e Këshillit Evropian, mikun e çmuar të Shqipërisë dhe rajonit tonë, Charles Michel. Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkroi Rama.
Rama: Palët i kanë sytë kah sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, akuzoi Kosovën dhe Serbinë se i kanë sytë e kthyer nga fronti i politikës së brendshme dhe kah sondazhet “e përflakura nga retorika nacionaliste”. Ai tha se dy palët i kanë kthyer kurrizin dialogut jetik, që është për të ardhmen, rajonin e marrëdhëniet me botën demokratike.
“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, zvarritja e planit franko-gjerman dhe devijimi i fokusit kah demonstrimet e forcës, mund t’i kushtojnë rajonit, “Serbisë pa diskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare”.
“Shqipëria do të bëjë çmos që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një çmenduri që paqja e brishtë që kemi ndërtuar përgjatë këtyre viteve, në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe përmes nismash të ndryshme, të rrënohet si kështjellë rëre nga rikthimi i dallgës së marrëzisë ballkanike, duke na rihedhur të gjithëve jashtë rrugës së integrimit europian, në fuçinë e vjetër të barutit në mes të Europës”, tha ai.