Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar nderimet shtetërore që Serbia po ia bën kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, që vdiq në Hagë, teksa po mbante burgimin e përjetshëm për gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë.
“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, ka thënë Rama në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”.
Megjithatë, Rama ka vlerësuar se pikërisht ky rast dhe raste të ngjashme janë arsye pse Serbia duhet të përfshihet në tryezën evropiane, ku vendeve kandidate mund t’u kërkohet llogari për veprime dhe t’u përcillen standardet që duhet t’i respektojnë.
“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Evropës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?”, u shpreh Rama.
Në këtë kontekst, Rama e ka lidhur rastin e Serbisë me vizionin e tij për zgjerimin e BE-së: vendet kandidate, sipas tij, duhet të afrohen gradualisht me strukturat evropiane dhe të jenë në tryezë, ndërsa përmbushin kriteret dhe përballen me kërkesat politike të vendeve anëtare.
“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, ka përfunduar Rama, siç transmetojnë mediat në Tiranë.
-
Vuçiqi për CNN-in: S’pati varrim me nderime shtetërore për Mlladiqin, djali im mori pjesë privatisht
-
Vuçiqi komenton deklaratat e Von der Leyenit dhe Costas për funeralin e kriminelit të luftës Mlladiq
-
BE-ja i quan shokuese pamjet nga varrimi i Mlladiqit, Kurti akuzon Serbinë për adhurim të gjenocidit
-
Kurti: Mohimi fjalë e pamjaftueshme, Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit
-
Konjufca për glorifikimin e Mlladiqit: Akt turpi i thellë moral dhe politik