Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka komentuar arrestimet e fundit në kryeqytet, si dhe marrjen në pyetje të nënkryetarit Alban Zogajt.
Ai ka deklaruar të hënën se arrestimet kanë të bëjnë më disa kontrata mbi vepër, për të cilat ka pohuar se janë të nevojshme për Prishtinën, derisa arrestimet i ka quajtur të paarsyeshme.
Rama sqaroi se buxheti i kryeqytetit është i përcaktuar në bazë të numrit të popullsisë së viti 2011, por që ky numër është rritur e me këtë edhe kërkesat për shërbime për çka janë detyruar të lidhin kontratat mbi vepër.
Ai ka thënë se në këto kontrata nuk ka pasur diçka jashtë normales dhe se ai personalisht nuk sheh arsye për arrestim, por ka shtuar se i mbetet drejtësisë që të vendosë për këtë rast.
“Unë këtë e kuptova sa isha jashtë shtetit. E kanë marrë në pyetje edhe nënkryetarin, mendoj që është për disa kontrata mbi vepër, kryeqyteti funksionon me një buxhet me të dhëna të viti 2011 sa i përket numrit të banorëve. Kryeqytetit i kërkohen shërbime të shumta, prandaj këto kontrata janë të lidhura për shërbime në administratë në shëndetësi dhe janë më se të nevojshme sepse numat që i kemi nuk janë të mjaftueshme. Ajo çka ka ndodhur është jashtë proporcioneve nuk e shoh të arsyeshme, por po ia lë proceseve ligjore të merren me këtë punë, nuk e shoh që ka pasur diçka jashtë normales, personalisht po them në bazë të arsyes pse është bërë, pse tash, do të kuptojmë më shumë e bisedojmë më vonë”, është shprehur kreu i kryeqytetit.
Tre zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar
Për këtë rast është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Ai ka thënë se ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat thotë se i kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar
Të arrestuarit janë shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku dhe Shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër, Valbona Makiqi.
Ata dyshohen për punësimin e kundërligjshëm të dhjetë personave në këtë qendër dhe caktimin e një të punësuare në mënyrë të kundërligjshme si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, edhe pse thuhet se nuk i plotësonte kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm./EO