Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nënkryetari i Prishtinës intervistohet nga Policia

Alban Zogaj

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka njoftuar se të premten pasdite është intervistuar nga Policia e Kosovës. Siç ka thënë Zogaj, ai është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunalë të Komunës së Prishtinës.

Zogaj ka thënë se rasti ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, e që ka thënë se si qeverisje “i kanë trashëguar”.

“Të dashur qytetarë, Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës. Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Zogaj ka thënë se mbetet në dispozicion për trajtimin e rastit deri në fund.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë janë ndaluar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata dyshohet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”.

Artikuj të ngjashëm