Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e hapjes së samitit Plani i Rritjes “Rruga jonë drejt BE” në Tiranë ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor po kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk po lutet që të hyjë në BE, por po dëshmon çdo ditë se e meriton të jetë pjesë e unionit.
“Rajoni nuk ka provuar asnjëherë reforma në këtë shkallë në kuadër të planit të rritjes, janë 490 mln euro të lëvruara që prekin financat publike, energjinë dhe të gjitha fushat, e mbyllim me reforma që janë transformuese. Ndërtimi i arterieve të Evropës në korridorin 8 që është kritike edhe për sigurinë në Evropë dhe është kthyer në korridor sigurie për NATO. Është një rajon që kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës. Evropa është diçka që po e ndërtojmë, Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere, gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, tha Rama.
Sipas tij rajoni ka arritur rezultate dhe e meriton integrimin në BE.
“Nuk po ecim drejt Evropës me duar bosh e aspak si ata që lypin lëmoshë, po ecim me rezultate të arritura, me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Të gjithë e dinë, Marta e di më mirë që për sigurinë tuaj zgjidhni i një ballkanas dhe kjo funksionon gjithmonë. Edhe për sigurinë e Evropës, zgjidhni ballkanasit, ne do të jemi truproja e Evropës”, tha ndër të tjera Rama, raporton TopChanel.
Në Samit kanë marrë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.
Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.