Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Dialogu Kosovë-Serbi në një pozitë tjetër, meritat u shkojnë qytetarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është në një pozitë tjetër sot dhe beson fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër.

Rama i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Republikës të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas një takimi që kishin në Itali.

“Kemi një mosmarrëveshje të madhe apo le të themi nuk është një mosmarrëveshje sinqerisht, por një distancë mjaft e madhe, më shumë sesa një mosmarrëveshje, kur bëhet fjalë për atë që ju e quani Kosova e Metohija e atë që unë e quaj Kosova. Por, a është kjo një arsye për të mos folur, apo është një arsye për të folur më shumë?! Mendoj që është një arsye për të folur më shumë dhe meqë ra fjala, edhe procesi i normalizimit është në një tjetër pozitë sot”, ka thënë ai.

Sipas tij, dialogu është në një pozitë tjetër sot dhe beson se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, sipas tij, meritat u shkojnë qytetarëve dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere.

“Më duhet t’iu them që jam takuar me kryeministrin Kurti para pak ditësh dhe pashë që ishte shumë më i hapur dhe konstruktiv sesa më parë. I thashë atij, ia thashë publikisht dhe e përsëris se është shumë e rëndësishme që të nxisim e të sigurohemi që si pjesa e Asociacionit dhe aspekti fetar i dialogut të garantohen 100% për qytetarët serbë në Kosovë që janë pakicë e duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem midis të gjithëve ne në të ardhmen”, tha ai.

Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski po qëndrojnë në Verona, Itali, në kuadër të pjesëmarrjes së tre vendeve, themeluese të nismës së Ballkanit të Hapur, në panairin botëror të Verës “Vinitaly 2023”, në një prezantim të përbashkët në stendën “Wine vision by Open Balkan”.

Edhe Rama: Kosova ta ngrijë dialogun bilateral me Serbinë, normalizimin ta synojë me dialog me BE-në Arbëri Rama: Kosova ta ngrijë dialogun bilateral me Serbinë, normalizimin ta synojë me dialog me BE-në

Rama shtoi se ky panair do jetë një mundësi e shkëlqyer për të folur për bujqësinë tonë, për prodhimin e verërave, sfidat dhe ambiciet tona dhe po ashtu do jetë mundësi e jashtëzakonshme për prodhuesit që të krijojnë kontakte me ata të Evropë dhe më gjerë në botë.

“Jemi të tre këtu sepse ia kemi dalë të jemi pjesë e një prej manifestimeve më të mëdha në Europë të prodhimit të verës në Itali, në Verona. Për herë të parë, prodhuesit tanë po përfshihen në këto panaire që janë në nivelin e ligës së kampionëve… Nuk i shohim këto nisma si kundërshtuese, por përplotësuese dhe gjithmonë do t’u bëjmë thirrje dhe anëtarëve të tjerë të kësaj kategorie a këtij rajoni, çfarëdo ta quani rajonin tonë, që të bëhen pjesë kurdo që të duan. Të bashkohen me gjysmë zemre, pa zemër, me zemër të plotë, është zgjedhja e tyre, nuk e kontrollojmë ne angazhimin me zemër ose jo. Ne kontrollojmë rezultatet dhe të mirat që nismat tona sjellin për qytetarët tanë”, tha ai./tch