Arbëri

“Rakia Fest” për rivlerësimin e traditës mijëravjeçare

Prishtinë, 22 tetor − “E dehun jam, këmbët s’më mbajnë”, këndon aktorja Sheqerie Buçaj në një prej hapësirave të etnokompleksit që ndodhet rreth 30 kilometra nga Prishtina. Improvizon gjendjen e një të dehure që ka humbur drejtpeshimin nga rakia.

Performanca e saj i shkon për shtat ngjarjes në të cilën këndohet. Pasditen e së dielës, prodhues të rakisë u mblodhën për t’i dëgjuar emrat e fituesve të atij që u bë festivali i parë i rakisë në vend. Në fshatin Kukaj, për tri ditë rresht është demonstruar rituali i prodhimit të saj.

“Rakia Fest” është i pari në Kosovë që u organizua në ambientin unik të këtij fshati, si rezultat i përvojës së festivalit tradicional “EtnoFest”.

Rakia e prodhuar nga “SefaWine” e Rahovecit mori vendin e parë nga juria në përbërje të Ylber Kuçit, kryesues e anëtarëve Agim Zajmi, Zoran Cvetanoviq, Nesim Morina, Shpejtim Kastrati e Besim Llapashtica. Vendin e dytë e mori rakia e prodhuar nga Radomir Stajiq nga Novobërda dhe çmimi i tretë iu nda rakisë së prodhuar nga Tereza Hajdari në Gjakovë. Çmimi i publikut iu nda “Boreas” nga Peja (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

{gallery}