Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rahoveci përkujton dëshmorët Visar Hoti e Safet Latifi

Rahoveci sot ka përkujtuar rënien e dy dëshmorëve nga fshati Ratkoc, Visa Hoti dhe Safet Latifi, transmeton Koha.net.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se, “sot, në vendin e rënies në bjeshkët e fshatit Zatriq dhe te varret e dëshmorëve në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, në 19-të vjetorin e rënies u përkujtuan dëshmorët Visar Hoti dhe Safet Latifi nga fshati Ratkoc. I pranishëm në homazhe ishte edhe kryetari i komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtor, familjar, bashkëluftëtar të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë”.

Në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve që ishin në homazhe, Latifi ka thënë se, “këtë përvjetor po e mbajmë edhe me një dhimbje më shumë. Jemi mësuar që në mesin tonë të kemi nënat dhe baballarët e dëshmorëve dhe në sytë e tyre të shohim krenarinë që i karakterizon. Kësaj radhe na mungon nëna Zymryte e dëshmorit Safet Latifi. Ajo u nda nga ne para pak ditësh, por do ta mbajmë mend si grua që me dhimbje në zemër qëndronte krenare para varreve e përmendoreve të dëshmorëve”.

“Rëniet e bijve më të mirë në fushat e betejave, asnjëherë nuk e kanë topitur tehun e rezistencës së popullit shqiptar për liri. Ndodhte kështu sepse robëria ishte e rëndë dhe populli ynë nuk kishte çka të humbte tjetër, pos vetë robërisë. Prandaj, bijtë e bijat më të zgjedhur i kanë dalë përballë së keqes për të frymuar lirshëm brezat e ardhshëm. Edhe Visari e Safeti ishin të vetëdijshëm se rrugë më të sigurt për të arritur lirinë nuk kishte. Çdo formë tjetër ishte e pafrytshme, prandaj lanë anash librat e rininë e tyre dhe hynë në rreshtat e parë të ilegales atdhetare e të luftëtarëve të paepur çlirimtarë”, ka thënë Latifi.

Artikuj të ngjashëm