27 vjet pas masakrës së Pastaselës në Rahovec, ku u vranë 106 civilë shqiptarë, drejtësia për këtë krim ende mungon. Në përvjetorin e krimit të kryer nga serbët më 31 mars 1999, liderë shtetërorë e kanë cilësuar këtë si një ndër krimet më të rënda të luftës në Kosovë, duke theksuar se pa ndëshkim të përgjegjësve nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme
Në 27-vjetorin e masakrës së Pastasellës së Rahovecit, ku më 31 mars 1999, janë vrarë 106 civilë shqiptarë, vetëm një person ka mbetur i gjallë e që mund të dëshmojë për krimin e forcave serbe.
Tahir Krasniqi 83 vjeç është i vetmi i mbijetuar i gjallë i kësaj masakre. 12 të mbijetuarit tjerë kanë vdekur ndërkohë.
Me gjithë moshën, Krasniqi ende kujton fije për pe ditën kur forcat serbe vranë 106 meshkuj shqiptarë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Na vinin plumbat e pushkatimit me autoblinda. I kemi çuar disa shenja të bardha se jemi dorëzuar, por ata kishin qenë njerëz që as nuk i morën parasysh. Na rrahën dhe na kanë thënë: ulni kryet poshtë. Unë e kam marrë vesh se ka pasur paramilitarë serbë në ato grupe. M’i kanë marrë sendet nga xhepi dhe na kanë ndarë për pushkatim në katër grupe. Unë kam qenë në grupin e tretë. Kur na kanë bërë rresht aty, na jepnin rafal përmas këndej. Kam qenë i plagosur lehtë dhe e kam ndjerë veten keq dhe mendova se nuk do të shpëtoj”, ka thënë ai këtë përvjetor.
Për këtë ngjarje, udhëheqës të institucioneve qendrore e lokale, bënë homazhe e dhe mesazhe se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar atë si një ndër krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë.
“Më 31 mars 1999, në Pastasellë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli. 13 persona mbijetuan që ta mbajnë mbi supe kujtesën dhe të vërtetën që nuk duhet të harrohet kurrë”, ka shkruar ajo.
E kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se është detyrë e institucioneve të drejtësisë për këto masakra të ketë më në fund aktakuza.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se ajo çka ndodhi 27 vjet më parë në këtë fshat është krim kundër njerëzimit.
“I vranë me urdhër e plan ushtarak 106, as më shumë e as më pak burra të rënë, të rinj e djem ende që s’ju kishin dalë mustaqet. Pushtuesit serbë, të etur për gjak shqiptari, i plaçkitën e pastaj i dogjën shtëpitë e tyre. Rrahën e torturuan njerëz që nuk mundeshin të mbroheshin. I ndanë në grupe të vogla dhe me urdhër i ekzekutuan nga afërsia. Krim kundër njerëzimit nuk ka emër tjetër për operacione të tilla ushtarake”, ka thënë Latifi.
Pastasella fillimisht ishte rrethuar nga forcat serbe, e më pas ato nisën të garantojnë fshatin me tanke e mjete të tjera.
Civilët shqiptarë që u përpoqën të gjenin strehë, por pasi u ngushtua rrethi u detyruan të dorëzohen.
Gratë dhe fëmijët u dëbuan me urdhrin “shkoni në Shqipëri”, ndërsa burrat u ndanë në grupe dhe u ekzekutuan.
Deri tash nuk ka asnjë të dënuar nga institucionet e Kosovës për këtë masakër.
KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale nëse është duke u zhvilluar ndonjë hetim aktiv, por gjatë ditës së martë nuk ka marrë përgjigje.