Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë të enjten se institucioni që ai drejton ka nevojë për ndryshim të sistemit zgjedhor.
Këtë deklaratë, Radoniqi e bëri gjatë një tryeze të organizuar prej KQZ-së për shoqërinë civile në Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve, raporton KosovaPress.
Gjatë tryezës shoqëria civile kërkoi që të nisë reformimi dhe rishikimi i ligjit për financim të partive politike.
Kryetari i KQZ-së pranoi që ka nevojë për reformim, por shtoi se Kosova ka avancuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve.
“Natyrisht që kemi ligj të vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje apo ndoshta edhe ndryshim të sistemit zgjedhor, ajo le të mbetët një çështje që do ta trajtojnë partitë politike, së bashku me ne apo edhe me shoqërinë civile, por një ligj i ri është shumë i nevojshëm për t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të disa organizatave të tjera që kanë jep rekomandimet e tyre”, ka thënë Radoniqi.
Edhe
Radoniqi bën thirrje për dalje në votim dhe respektim të Ligjit të zgjedhjeve
Kosova gjatë vitit 2021 organizoi dy palë zgjedhje, në shkurt ishin votimet parlamentare e në tetor ato lokale që pasuan edhe me balotazhin e nëntorit.
Mekanizmat ndërkombëtarë kanë përgëzuar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.