Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetari mbyll shtyllat e rrezikshme elektrike në sheshin e Prishtinës

Një qytetar i Prishtinës ka vendosur të ndërmarrë vetë veprime për të parandaluar rrezikun nga energjia elektrike që u kanoset kalimtarëve në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit.

Jeton Sopa ka nisur t’i izolojë shtyllat elektrike nëpër sheshe në të cilat kanë qenë të hapura kapakët e tyre.

Në emisionin “Sot” të KTV-së Sopa ka treguar si e nisi aksionin.

“Po ta shëtisim gjithë sheshin ka me dhjetëra të tilla. Unë pothuajse çdo ditë kaloj këndej dhe e kam parë një gjë të tillë qysh moti. Ka më tepër se një muaj që e kam njoftuar Inspeksionin e Komunës dhe ju kam thënë që kjo nuk është në rregull sepse është shumë rrezik. Duhet të merren masa, të izolohen më profesionale. Ata thanë se ato po i hapin qytetarët, shitësit, ne do t’i rregullojmë, por ka kaluar më tepër se një muaj dhe e kam parë që nuk është rregulluar. Është vërtetë e rrezikshme sepse një fëmijë qoftë pavetëdijshëm mund ta prekë këtë dhe jam i sigurt se mund të përfundojë me fatalitet. Duke parë që nuk po bëhet asgjë, dola që në shenjë simbolike dhe preventive dhe i kam izoluar disa shtylla”, ka thënë ai.

Sopa ka thënë se aksioni i tij pati efekt të menjëhershëm, pasi siç tha, u kontaktua menjëherë nga kabineti i kryetarit të Prishtinës i cili i ka thënë se ka lajmëruar autoritetet përgjegjëse.