Nazmi Zogaj, toger në njësinë e trafikut në Policinë e Kosovës, ka thënë se aksioni që është marrë në rrugët e Prishtinës për trotinetet elektrike dhe biçikletat, nga ana e Policisë është për shkak të rrezikimit të qytetarëve nga këto mjete.
Sipas tij, shqetësuese është se trotinetet elektrike po përdoren edhe nga fëmijët të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun.
Ai në emisionin “038” në KTV ka thënë se lëvizja e këtyre mjeteve edhe në rrugë ku lëvizin automjete mund të jetë e rrezikshme.
“Ka qenë veprim i mirë nga Komuna e Prishtinës që e ka marrë një veprim të tillë që me ndalu këto mjete dhe me kufizu moshën e atyre që i përdorin. Do të ishte mirë që këto mjete ta kishin një shteg të vetin ku mund të lëvizin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet të kufizohet se në cilat vende mund të përdoren.
Zogaj ka thënë se numri i rasteve të aksidenteve me fatalitet ka rënë.
Sipas tij, ka numër më të vogël të gjobave gjatë kësaj kohe.
“Ne kemi aksidente edhe në udhëkryq ku kanë semafor por edhe në rreth rrotullime. Në rreth rrotullime zakonisht shkaktohen aksidente më të vogla për shkak edhe të shpejtësisë më të vogël”, ka thënë ai.