Arbëri

Qytetarët s’mund të kryejnë shërbime e grevistët kërkojnë përmbushje të kërkesave

Në ditën e tretë të grevës, punonjës të gjendjes civile nuk kanë kryer shërbime për banorë të Komunës së Prishtinës. Qytetarët e shohin të paarsyeshme grevën, por në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kështu po vazhdon dita e tretë e grevës nga shërbyes civilë në Komunën e Prishtinës. Qytetarët kanë ardhur për t’u pajisur me dokumente të tilla si certifikata e ekstrakte të lindjes, të cilat shërbime kryhen në komunë.

Për t’i kryer këto obligime, ata kanë në dispozicion vetëm një e-kioskë.

Qytetari Sabit Salihu ka shprehur pakënaqësi me grevën.

“Nuk është kjo grevë e punëtorëve. Kjo nuk përfaqëson interesa të punëtorëve hiç, ama hiç. Qyre isha për dy certifikata të nipave. Nuk punojmë, në grevë. Pse në grevë. Pse kanë mbetur pa taxhi, opozita edhe po çojnë ujë në mulli të Vuçiçit atje. Me i paralizu tona institucionet. Ata nuk janë legjitimë, ata të Bashkimit të Sindikatave. Nuk janë legjitimë ata fare. Ata nuk përfaqësojnë interesa të punëtorëve apo të të drejtave të tyre, po veç interesat e tyre personale. Këtu s’ka të bëjë me të drejta të punëtorëve fare”, ka thënë Salihu.

Ndërsa Osman Selimi, mërgimtar, nuk ishte fare në dijeni për grevën e as arsyen e saj.

“Atje kur kem sot në mëngjes atje na thanë që është grevë amo a është grevë a nuk është nuk e di, për çka është grevë nuk e di. Nuk dimë kurrfarë arsye”, ka thënë Selimi.

E në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Greva vazhdon deri sa të realizohen kërkesat tona të cilat janë të drejta të ligjshme dhe realisht të zbatueshme. Presim që të reflektojë qeveria, për arsye se edhe ne nuk jemi të interesuar ta bllokojmë punën mirëpo realisht këtu na ka mbetur mundësia e vetme që duke i përdorur mjetet sindikale siç është greva dhe protesta, janë mjetet e vetme që ne bëjmë përpjekje për realizimin e kërkesave dhe te drejtave tona”, ka thënë Ali Sefaj, anëtar i Këshillit grevist.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë veprime, në mënyrë që kërkesat e sindikalistëve të realizohen.

“Edhe njëherë e kisha ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë, të ulet dhe të dialogojë që të fillojë me realizimin e kërkesave dhe ditën e 1 shtatorit të mos ndodhë për shkak të refuzimit për dialogim dhe refuzim të kërkesave t’ua humbim nxënësve të klasës së parë kujtesën që e kanë nga fillimi i vitit, nga fillimi i shkollës. Kjo varet nga Qeveria. Gatishmëri nga ana jonë ka”, ka shtuar ai.

Grevës nuk i janë bashkuar edhe punonjës të Agjencisë së Regjistrimit Civil. Këtë të hënë ka vazhduar puna njësoj si ditët e tjera për kryerjen e shërbimeve si: pajisje me letërnjoftim, pajisje me patentë shoferë, termin për vula apostile e pajisje me pasaportë.