Arbëri

Qytetarët nga Malisheva e Klina protestojnë para Qeverisë kundër devijimit të magjistrales

Qytetarët nga Komuna e Malishevës dhe ajo e Klinës kanë protestuar të enjten para Qeverisë, kundër devijimit të magjistrales Prishtinë-Pejë.

Banorët kryesisht të fshatrave Stapanicë, Rixhevë e Gllarevë, kanë dalë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për devijimin te segmenti Kijevë-Dollc.

Qytetarët kanë bërë thirrje për kryeministrin Albin Kurti që t’i mbajë premtimet, teksa kërkesa e tyre është që autostrada të vazhdohet në rrugën aktuale.

“Mbaj premtimet kryeministër”, “Rruga aktuale është e shpronësuar”, “Jo devijim të rrugës”, “Bizneset po vdesin”, janë disa nga thirrjet në pankartat që këta qytetarë po mbanin në duar gjatë protestës.

Enver Haxhaj nga Gllareva, ka thënë se të enjten po protestohet shkaku i devijimit të trasesë që do të ndërtohet. Sipas tij, qytetarët po dyshojnë se rruga po devijohet sepse disa individë të lidhur me ish-pushtetarët i kanë blerë ato toka para se të hapet tenderi.

“Nëse ajo rrugë devijohet, do të jetë e dëmshme për qytetarët e sidomos për bizneset tona. Mendojmë që për disa arsye personale ose disa individ të kthehet rrugë matanë. Ajo trase ende pa filluar puna është shitur. Është blerë nga dikush që ne nuk e dimë interesin e tyre.”, ka thënë ai.

Ndërsa Isuf Mehmetaj nga i njëjti fshat ka thënë se rruga ekzistuese është e shpronësuar.

“Në protestë kemi ardhur për arsye të devijimit të trasesë së rrugës Kievë – Gjorgjevikë, do të thotë që Stapanicë, Regjevë, Gllarevë i anashkalon dhe devijim është ka haret e bukës. Traseja ekzistuese në vitet e 70-ta është e shpronësuar me katër korsi, pra nuk ka nevojë të bëhet shpronësimi në këtë anë”, ka thënë ai.

Një tjetër qytetarë e ka quajtur krim këtë që po ndodhë në këtë rrugë.

“Ky është krim, krim është të na lënë pesë apo gjashtë fshatra, të na bllokojnë, të na e marrin tokën e bukës. Qe 50 e ca vjet ajo tokë është e pranuar, rrugë kryesore. Tash e lënë atë rrugë kryesore, tokën e bukës duan të na e marrin, të na mbyllin. Vetëm ta lëshojmë Kosovën nuk kemi ka të shkojmë”, është shprehur ai.

{gallery}