Policia e Kosovës të shtunën ka gjobitur me 500 euro një 69-vjeçar për shkak se po kërkonte lëmoshë rrugëve të qytetit të Ferizajt. Operacion të tillë Policia e Ferizajt ka marrë qe një kohë, meqë qytetarët po bezdisen nga lëmoshëkërkuesit e shumtë në këtë qytet. Megjithatë, qytetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për shumën dhe dënimin që i është shqiptuar
Një 69-vjeçar të shtunën mori gjobë prej 500 eurosh nga Policia e Kosovës pse po kërkonte lëmoshë rrugëve të Ferizajt. Kjo nuk është hera e parë që ky shtetas i Shqipërisë për veprën e njëjtë ka marrë vërejtje e gjoba nga policia. Në nenin 10 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike thuhet se kushdo që në vende publike kërkon lëmoshë në mënyrë të bezdisshme dënohet me gjobë nga 30 deri në 500 euro. Shumën maksimale të gjobës së shqiptuar Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka arsyetuar me bezdisjen që u është shkaktuar qytetarëve nga lëmoshëkërkuesi. Zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli, ka thënë se këto masa po merren që nga qershori i këtij viti, për shkak të ankesave të qytetarëve se po shqetësohen, ndër të tjera, edhe nëpër lokale të gastronomisë.
“Policia, meqë ka pranuar disa informacione se prapë ka lypsarë në qytetin e Ferizajt, menjëherë ka marrë masat e nevojshme dhe ka arritur ta ndalojë personin me inicialet H.Sh. i moshës rreth 70 vjeçar i cili për disa herë ka dalë të lypë në qytetin e Ferizajt. Pra ka qenë recidivist me këtë kundërvajtje. Policia ka qenë e detyruar që përveç vërejtjeve policore t’i shqiptojë edhe një gjobë për kundërvajtje që është 500 euro”, ka thënë Veseli.
Megjithatë, për disa qytetarë të kësaj komune shuma e gjobës është e paarsyeshme.
“S’është në rregull, ai më së pari nuk ka për vete e qysh ka me pagu, tregom? Se kap as me Kanun, as me shkollë, as me kurgjo. Kah ka me i pagu ai, ai ka dalë me mbijetu, shumë keq”, ka thënë Halit Zogaj.
E disa të tjerë e kanë arsyetuar policinë e Kosovës, meqë konsiderojnë që shëtitja në sheshe e frekuentimi i lokaleve janë bërë të bezdisshme nga lëmoshëkërkuesit, për të cilët ata dyshojnë se detyrohen nga persona të tjerë të kërkojnë të holla.
“Lypja nuk është metodë për me mbijetu, duhet me gjetë metodë tjetër. Unë besoj që policia nuk ka gabuar”, thotë Ismet Jupa, derisa shton se duhet të ketë dënime, meqë, sipas tij, ata që po kërkojnë të holla punojnë për persona të tjerë.
“Ata kanë ardhur me një qëllim tjetër, kanë një prapavijë, i shoh këtu nëpër qendër duke kërkuar disa njerëz, askush nuk i njeh, nuk janë të kësaj komune, nuk di kush qëndron prapa tyre. Policia është dashur më herët t’i ndjekë”, thotë Muhamet Kilaj një qytetar tjetër.
Megjithatë, Mustafë Beqiri, bashkëvendës i tij, vlerëson se gjobat nuk janë të nevojshme. Sipas tij, duhet intervenim i shtetit me qendrat e punëve sociale për t’iu dalë në ndihmë rasteve të tilla, që jo rrallë viktima janë edhe fëmijët.
“Kjo duhet të kontrollohet më së shumti nga shteti, e jo nga policia menjëherë, por duhet Enti Social të kujdeset për ta, t’i verifikojë kush janë ata, t’ju shkojë në familje e t’i punësojë disa prej familjarëve, pastaj të marrin masa ndaj atyre”, thotë Beqiri.
Ai kritikon, përveç qasjen individuale edhe atë të pushtetit lokal ndaj kësaj kategorie të njerëzve.
“Ne kemi rastin që një person del edhe i zhveshur këtu në trotuar, i cili mund të sëmuret e neve nuk duhet të na lejojë ndërgjegjja jonë që ta lëmë atë ta rrezikojë shëndetin e vet. Por fatkeqësisht shumica prej nesh edhe përmbi të kalojmë dhe as që ndalemi me u kujdes. Këtu sigurisht e fajësoj edhe pushtetin lokal që nuk kujdeset së paku për fëmijët”, ka përfunduar ai.
Për këtë çështje nga Policia e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS se si trajtohen këta persona në qytetet e tjera e në veçanti si veprojnë me rastet e lëmoshëkërkueseve kur ata janë fëmijë.
Numër të madh të lëmoshëkërkuesve kanë edhe qytetet e tjera, e në veçanti kryeqyteti. Por as nga Komuna e Prishtinës nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë plan operacional për trajtimin apo edhe ndalimin e tyre.