Arbëri

Qytetarët ende nuk po pajisen me pasaporta sipas afatit ligjor

Problemet me lëshimin e dokumenteve nga Agjencia e Regjistrimit Civil kanë nisur të përmirësohen, por ende nuk janë zgjidhur. Drejtuesit e ARC-së thonë se kanë materiale për lëshimin e dokumenteve për qytetarët që kanë aplikuar prej muajit shtator

Shumë qytetarë të Kosovës kanë pasur probleme për t’u pajisur me dokumente personale si pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferi.

Krejt kjo ka ndodhur në mungesë të materialit dhe shtyrjes së tenderit për shkak të vonesave që janë bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Qytetarët që kanë aplikuar në muajin shtator e tetor të vitit të kaluar për marrjen e pasaportës, kanë filluar t’i marrin tash ato me pesë muaj vonesë.

“Kam aplikuar në shtator të vitit të kaluar edhe tash e kam marrë, do të thotë më ka ardhë njoftimi rreth 20 shkurtit që është bërë pasaporta. Do të thotë katër – pesë muaj diferenca (me afatin ligjor v.j.)”, ka deklaruar Albana Zeqiri, qytetare në Prishtinë.

Njëjtë thotë se i ka ndodhur edhe Ersen Rafunës. Ai thotë të ketë aplikuar më 10 tetor dhe pasaportën e ka marrë në fund të javës që shkoi.

Për shkak të grumbullimit të aplikuesve, qytetarët aktualisht nuk mund të pajisen me dokumente siç parashihet me afatin ligjor prej 15 ditësh. Disa qytetarë kanë thënë së zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) u kanë thënë se dokumentet do t’u vonohen.

“Sot kam aplikuar për pasaportë, për pasaportën e fëmijëve dhe kam marrë përgjigje që do të vonohet, nuk kam diçka përgjigje tjetër”, ka deklaruar Ganimete Berisha, qytetare.

Blerim Camaj, ushtrues i drejtorit të Agjencisë për Regjistrim Civil, ka thënë se gjendja e krijuar me furnizimin e pasaportave në muajt e fundit ka nisur të përmirësohet.

Sipas tij, qytetarët të cilët kanë aplikuar nga muaji shtator deri më 16 janar dokumentet i kanë të prodhuara.

“Prodhimi është në muajin janar, do të thotë kemi ardhë deri në muajin janar, më 16 janar. E kemi përfundu shtatorin, tetorin, nëntorin, dhjetorin dhe kemi filluar me muajin janar. Shpresojmë që edhe për pasaporta së shpejti të vijmë në afatin ligjor prej 15 ditëve, kështu që brenda 10 ditëve besoj që do të biem në afatin ligjor”, ka thënë Camaj.

Ai ka theksuar se kompanisë që ka pasur tenderin deri tash i është vazhduar kontrata edhe për një vit.

Ka treguar se kjo kompani paraprakisht u ka sjellë 30 për qind të materialeve ashtu siç parashihej me kontratë.

“Kjo kompani na pajis me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë dhe sipas planit dinamik ja fillon me na furnizu, kështu që kjo kompani ka kontratë njëvjeçare dhe do të kemi dokumente të mjaftueshme, edhe pse jemi në procedurë për përzgjedhjen e një kontraktori. Dy kompani kanë konkurruar, të cilat nga OSHP-ja janë kthyer edhe një herë për rivlerësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Komisioni është duke e vlerësuar, rivlerësuar tenderin i cili është në procedurë”, ka deklaruar Camaj.

Problemet kryesore në Agjencinë e Regjistrimit Civil, sipas Camajt, janë furnizimet me materiale, shkaku i procedurave të OSHP-së.

Në nëntorin e vitit të kaluar Ministria e Punëve të Brendshme pati ndërprerë lëshimin e pasaportave, përveç për pacientët që u duhej të udhëtonin për trajtim shëndetësor jashtë vendit.