Gjatë ditës së sotme, KTV-ja ka raportuar se vetëm në gjashtë muajt e fundit në Kosovë, 9 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.
Rasti i fundit ndodhi të mërkurën në veri të Mitrovicës, ku humbi jetën 45-vjeçari nga Kçiqi, i cili ra nga kati i nëntë i një objekti që po ndërtohet në veri të vendit.
Bashkë me Hajdinin, në kompaninë ndërtuese MAB, ishte duke punuar edhe nipi i tij, Arbnori, i cili rrëfen për ngjarjen e së enjtes. Ai thotë se në momentin kur ndodhi rasti, nuk ishe pranë xhaxhait të tij, por thotë se atij iu këput lifti. Kohavisioni ka kontaktuar me kompaninë MAB, por nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje.
Menaxheri i shitjes, i cili ka treguar vetëm emrin por jo edhe mbiemrin, i ka thënë KTV-së se nuk ka vdekur asnjë punëtor i tyre dhe se ata nuk po ndërtojnë në veri.
Edhe një lexues i Koha.net, ka dërguar një fotografi ku në majën e një ndërtese mund të shihet një person, i cili duket se fare nuk është i mbrojtur.
Në këtë ndërtesë e cila ende nuk është e përfunduar, shihet qartë që punëtorët nuk kanë mjete të duhura sigurie, që si pasojë edhe po sjell vdekjen e punëtorëve nëpër vende të punës.
Mosofrimi i kushteve të sigurisë nga ana e kompanive ndërtuese si dhe kompanive të tjera biznesore mbetet sfida më e madhe e inspektoratit të punës. Pavarësisht se inspektorati ka shqiptuar 60 gjoba ndaj punëdhënësve të ndryshëm, kjo nuk ka ndikuar aspak në ofrimin e kushteve më të mira nga ta.
