Arbëri

Quni: Serbisë do t’i kthehej bumerang çdo aventurë ushtarake në Kosovë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka deklaruar se Serbisë do t’i kthehej në bumerang çdo lloj “aventure ushtarake” në territorin e Kosovës, pasi siç ka thënë Quni, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe NATO-ja janë të gatshme dhe të përgatitura për çka do që nevojitet.

Sipas tij, FSK-ja është e pajisur me armatim të gjeneratës së fundit dhe sipas tij, pajisjet ushtarake i ka të njëjta me të atij lloji që i përdorin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Shtetet që bëjnë reforma, e ato që kanë pasur sistem të Lindjes si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë vështirësi (për reformim) sepse kanë mjete të prodhimit të viteve të 70-ta dhe të 80-ta. Çdo gjë që përdoret nga FSK-ja është analoge me pajisjet që i përdorin shtetet më të zhvilluara...Çfarë do ndërhyrje konvencionale apo klasike, ndonjë inkursioni brenda territorit të Kosovës, do të ishte aventurë që shumë shpejt do t’i kthehej në bumerang autoriteteve të Beogradit apo ushtrisë së Serbisë”, ka thënë Quni të enjten në "60 Minuta" të KTV-së.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ushtria e Serbisë është më e madhja në Ballkan me trupa dhe armatim të rëndë, por kjo sipas tij, nuk duhet të shkaktojë frikë apo panik.

“Ushtria e Serbisë i numëron 22 mijë forca, kanë kontingjente të konsiderueshme të tankeve, 250 të tilla, po ashtu 3 lloje të mjeteve taktike të blinduara, 400 sosh, 90 sisteme të artilerisë, 60 sisteme të artilerisë shumëtytëshe...E bëjnë një forcë të konsiderueshme, pa folur për aviacion e një flotë mes Serbisë e Vojvodinës”, ka thënë Quni.

Anëtari i Komisionit Parlamentar Hetimor për Siguri është shprehur se FSK-ja është e certifikuar për operacione “të një kompleksiteti më të ulët”, por siç ka theksuar ai, s’e bën më me pak ndikim.

“FSK-ja është në zhvillim e sipër. Ngritja e kapaciteteve duhet të përfundojë deri në 2028-n. FSK-ja po zbaton planin gjithëpërfshirës për ngritjen e personelit, nga ushtarët deri te eprorët me grada të larta. Jemi në ngritje të infrastrukturës së sigurisë, e në raport me aleatët tanë për çështje të gjera që ne s’kemi kapacitet t’i përgjigjemi në mënyrën e duhur, duhej të kishim bashkëpunim të mirë. Kërkohen politika të qarta e transparente, të determinuara mirë nga Qeveria, gjithnjë me një transparencë me partitë politike, llogaridhënie, e udhëheqje civile si garanci që funksionon Kushtetuta e Kosovës”, ka theksuar ai.

Sulmi serb i 24 shtatorit në Banjskë, sipas Qunit, ishte iniciuar si rezultat “i inkurajimit dhe kur është kuptuar se s’ka bashkëpunim të mirë mes akterëve në fushën e sigurisë”.

“Çdo proces politik e ekonomik duhet pasur parasysh faktorin e sigurisë. Flitet për kujdes të veçantë ndaj veprimeve që ndërmerren nga Rusia, Kina e Iranit për interesimin e hapjes së vatrave të reja të krizës. Në favorin e Moskës do të ishte zhvendosja e vëmendjes nga Ukraine. Atje po zhvillohet agresion, e tërë bota perëndimore është në përkrahje në Ukrainës...Jo rastësisht ngjarjet po ndodhin në Izrael e problemet me Jemenin. Raketimet nga Irani e Iraku nuk janë koicidencë. Janë në një qendër bashkëveprimi”, ka theksuar ai.