Arbëri

QMF-së më të madhe në Pejë i kthehet pas dy viteve kujdestaria

Foto: Koha

Qendra e Mjekësisë Familjare nr.5 në Pejë, e cila pas Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, nga madhësia është qendra më e madhe e mjekësisë primare në Pejë, sërish është bërë nga kjo javë me orarin e kujdestarisë prej orës 19:00 deri në 24:00.

Kjo qendër mjekësore, që gjendet në lagjen “Fidanishte” dhe e cila ofron shërbime mjekësore banorëve të lagjeve “Fidanishte”, “7 Shatori”, “Xhemajl Kada” dhe disa banorëve të fshatrave të afërta, shërbimin e kujdestarisë do ta ofrojë gjatë tërë javës, përveç ditës së diel, në hapësirën e rinovuar në këtë objekt, ku më herët ka qenë qendra e vaksinimit, transmeton Koha Ditore.

Dy vitet e fundit, deri këtë javë, në këtë qendër të mjekësie familjare është punuar vetëm pesë ditë në javë dhe atë vetëm deri në ora 19:00.

Ndërsa tash, ditë pune i është shtuar edhe dita e shtunë me orar të njëjtë sikur edhe ditët tjera të punës, prej orës 07:00 deri në ora 19:00 dhe pastaj kujdestaria deri në ora 24:00.

“Kërkesat kanë qenë që të ketë kujdestari dhe me qenë sa më afër qytetarëve me shërbime mjekësore, por edhe për arsye të rajonit të madh që mbulon kjo QMF, konkretisht tri bashkësi lokale dhe fshatrat e afërta përreth që frekuentojnë në atë qendër mjekësore”, tha drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.

Në këtë objekt shëndetësor, që u ofron shërbime mjekësore rreth 15 mijë banorëve, kujdestaria ka funksionuar deri në vjeshtë të vitit 2016, kur edhe kishte nisur rinovimi gjeneral i këtij objekti të ndërtuar në vitin 1984.

Por, pas përurimit në tetorin e vitit 2017, të objektit të rinovuar nga komuna me 100 mijë euro, kjo QMF kishte mbetur pa orarin e kujdestarisë, kurse edhe ditëve të shtuna, që tash sërish do të punohet, nuk punohej më si para rinovimit.

Kurse, pasi qendra e vaksinimit kishte kaluar nga ky objekt në objektin ku gjendet ndihma e parë, në këtë QMF ishte liruar hapësira për funksionimin e kujdestarisë deri në orën e mesnatës, por kujdestaria nuk kishte funksionalizuar me arsyetimin e mungesës së inventarit.

Pas rinovimit të objektit, banorët e këtyre lagjeve kishin pritur që QMF-ja të punojë 24 orë në ditë gjatë tërë javës.

Por, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, me ligj gjatë gjithë natës punon vetëm Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

“Fluksi më i madh i pacientëve është deri në ora 24:00”, thotë Loci.