Qeveria e Kosovës pritet ta shkarkojë Bordin e Telekomit në mbledhjen e ardhshme të saj. Propozimi i ministres Rozeta Hajdari është bazuar në performancën e dobët, keqmenaxhimin dhe aferat korruptuese në të cilat ishte përfshirë ky bord që nga fillimi i emërimit.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik pritet që shumë shpejt të shkarkojë nga detyra Bordin aktual të Telekomit të Kosovës.
Në fakt, propozim-shkarkimi tashmë është shkruar dhe pritet që t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, në një nga mbledhjet e ardhshme, pasi vendimi i takon asaj si aksionare e vetme e Telekomit.
KOHA merr vesh nga burime të afërta me zhvillimet se arsyetimi i Qeverisë do të fokusohet në tri çështje.
Fillimisht në performancën e dobët të Bordit e sidomos rënien e kapitalit të kësaj ndërmarrjeje në 2 vjetët e fundit.
Edhe
Votohen anëtarët e Bordit të RTK-së
Pikë tjetër është edhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare, që është evidentuar në raportet e brendshme dhe të jashtme të auditimit.
Si pikë referimi do të jenë edhe raportimet e mediave për shumë afera korruptuese dhe nepotizëm, e këtu përmenden ndikimet e Bordit për punësimin e familjarëve të tyre e edhe të politikanëve kryesisht të AAK-së, Nismës e PDK-së.
KTV-ja për këtë ka pyetur edhe ministren Rozeta Hajdari, e cila nuk e ka mohuar këtë informacion, por ka thënë se aktualisht është e zënë me çështjen e CEFTA-s.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse Bordi do të zëvendësohet me personat e tjerë që kanë qenë në listë apo do të zgjidhet i ri nga fillimi.
Aktualisht Bordi i Telekomit udhëhiqet nga Besa Shatri-Berisha, e cila është bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, Sead Ujkani, Skender Hoti, Shkelzen Ibrahimi dhe Suzana Andjelkoviq.
Edhe
Qeveria procedon në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e buxhetit
Në të kaluarën pjesë e Bordit ishin edhe Fidel Krasniqi, i cili kishte dhënë dorëheqje me pretendimin për të marrë menaxhimin e Telekomit, pas dorëheqjes së Gent Begollit. Madje Krasniqi ishte përfshirë në një konfrontim verbal me kryeshefin aktual të Telekomit, Bedri Istrefin.
KTV-ja kishte raportuar se si Krasniqi kishte kërkuar që t’i sigurohej një zyrë dhe një post brenda Telekomit pasi kishte mbetur pa punë kur dha dorëheqje nga Bordi pasi i ishte premtuar pozita e kryeshefit.
Në Bord, për disa kohë, ishte edhe Muhamet Spahiu, por sipas zyrtarëve udhëheqës të Telekomit, ai u largua nga aty 7 muaj më parë pasi ishte bërë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj.
Në listën e pritjes së Bordit ka qenë edhe Armend Osaj, i cili aktualisht është zyrtari kryesor financiar në këtë ndërmarrje.
Në listën e Qeverisë së kaluar për anëtarë të Bordit të Telekomit, në pritje janë Arsim Gosalci, Enis Berisha, Kujtim Xhelili, Qemajl Ahmeti dhe Genc Rraci.
Edhe
Opozita thotë se drejtuesit e SHSKUK-së po i ikin llogaridhënies
Kohavisioni gjatë dy vjetëve të fundit ka raportuar për dhjetëra keqpërdorime, afera korruptuese e punësime familjare të kryera nga anëtarët e Bordit të Telekomit.
Në mesin e raportimeve ishin edhe ajo kur ish-anëtari i këtij Bordi, Osman Ejupi, kishte punësuar 4 fëmijët e tij në Telekom.
Në punësime familjare u përfshinë edhe anëtarët e tjerë, si dhe vetë kryetarja e Bordit, Besa Shatri-Berisha.