Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria premton mbështetje për ujë të pijshëm në Podgorë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdën e aktiviteteve të sotme, zhvilloi edhe një vizitë tjetër pune në fshatin Grnçar të rajonit të Podgorit, nga ku në shenjë respekti për të, Shoqata Kulturore Artistike, “Podgorski Biseri” organizoi një program artistik kulturor me vallet tradicionale të kësaj zone.

Me këtë rast para të pranishmëve të shumtë, Haradinaj, kuptoi se përveç papunësisë, nga banorët u njoftua edhe për shqetësimin e tyre rreth mungesës së ujit të pijshëm, duke e konfirmuar atë se Qeveria do ta mbështesë kërkesën e tyre për investim në ujësjellës për t’ua sjellë atyre ujin e pijshëm.

“Ju përgëzoj për ruajtjen e vlerave tuaja tradicionale si dhe pavarësisht sfidave që jeni përballur si komunitet keni vazhduar të qëndroni në vendet e tuaja të lindjes. Qeveria ime do t’i ketë parasysh kërkesat tuaja, sidomos mungesën e ujit të pijshëm me të cilën ju ballafaqoheni, por do ta keni përkrahjen time përmes investimit për zgjidhje të këtij problemi”, shtoi Haradinaj.

Kryetari i fshatit Edis Alilji, i cili tregoi për sfidat e fshatit, veçanërisht në ujësjellës, ka thënë se në këtë fshat dhe në përgjithësi në rajonin e Podgorit janë ruajtur vlerat kulturore dhe tradicionale duke kërkuar mbështetje për investime në ujësjellës për banorët e këtyre fshatrave, pasi sipas tij edhe përkundër vështirësive ata kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre të lindjes.

Haradinaj, i siguroi të gjitha komunitetet në Kosovë se institucionet kosovare janë duke punuar në vazhdimësi për përmirësimin e mirëqenies së tyre.