Katër kryetarët serbë të komunave veriore të Kosovës i kanë dorëzuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal dorëheqjet e tyre, ka konfirmuar për KTV-në kjo ministri.
Qeveria ka thyer heshtjen për t’u deklaruar rreth zhvillimeve të fundit në veri, por jo edhe kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.
Në emër të Qeverisë, Besnik Tahiri ka thënë se veprimi i tyre është i ngutshëm, pavarësisht se për këtë do të veprohet në bazë të ligjeve në fuqi.
Tahiri thotë se vendimi për taksën nuk lidhet me dorëheqjen e kryetarëve.
Ai ka thënë se qeveria nuk ka informacione se me këtë veprim mund të ketë edhe skenar për ndarje të veriut të Kosovës.
Edhe
KQZ-ja i drejton te kuvendet komunale hartuesit e kërkesave për shkarkim të kryetarëve në veri
Pas dorëheqjes së kryetarëve serbë, pritet të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme, ashtu siç e përcaktojnë ligjet e Kosovës.
Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është funksional për organizimin e tyre, pasi anëtarëve të këtij organi u ka skaduar mandati.
Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për përbërjen e re të KQZ-së. Kushtetuesja akoma nuk ka dhënë vendim për kërkesën e tij.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje. Por, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se nuk kanë njoftim zyrtar për dorëheqjen e kryetarëve serbë të komunave.
“Zyrtarisht nuk kam asgjë, neve na duhet diçka zyrtare. Njëherë nuk mund të jap kurrfarë deklarate, derisa të marrim diçka zyrtare”, ka thënë Valdete Daka.
Edhe
Qeveria refuzon idenë e dorëheqjes së kryetarëve në katër komunat veriore
Të martën, kryetarët e Komunave të Veriut të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, siç kanë thënë, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe.
Madje, ata kanë paralajmëruar se do ta ndërpresin çdo komunikim me institucionet e Kosovës.