Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ndarë hollësi për procedurat e mbajtjes së zgjedhjeve në veri përmes peticionit. Ka thënë se kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe nuk mund t’u kërkohet dorëheqja. Me opsionin që po shtyn përpara Qeveria e Kosovës për zgjedhjet në veri nuk pajtohen në LDK. E në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të gatshëm kurdo që vendoset për këtë proces
Kërkesë të Serbisë e konsiderojnë në Qeverinë e Kosovës largimin e kryetarëve të komunave veriore përmes dorëheqjeve nga postet e tyre.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë të mërkurën se dorëheqja e kryetarëve nuk mund të kërkohet nga askush.
“Largimi i tyre nga zyrat e kryetarit është e përcaktume me ligj dhe dorëheqja e secilit kryetar të komunës nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër ose nga asnjë autoritet tjetër për shkak se mandati është personal dhe kryetari e ka fitu atë mandat. Kërkesa për largimin e kryetarëve apo për dorëheqjen e kryetarëve është kërkesë e Serbisë dhe nuk dëshiroj të komentoj ma shumë”, ka thënë ai.
Krasniqi, gjatë vizitës në Komunën e Lipjanit, ka shpalosur hollësi edhe rreth procedurave të nisura për të siguruar aspektin e nevojshëm ligjor për mbajtjen e peticionit, përmes të cilit do të kërkoheshin zgjedhje të reja në veri.
Tha se me udhëzimin administrativ që do të hartohet, mundësohet organizimi i një peticioni për largimin e kryetarit, në cilëndo komunë në të ardhmen.
E, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se zgjidhja për situatën në veri është politike e jo legjislative.
“Po e kundërshtoj ministrin.. nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidhë problemet politike. Sepse kjo mund të riciklohet, pas tre muaj të mbahen zgjedhjet, prapë edhe një peticion tjetër..”, ka thënë Ahmeti.
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe pas verës, është zotim i Kosovës dhënë BE-së, si hap drejt shtensionimit të situatës.
BE-ja ka preferuar dorëheqjen e kryetarëve si rrugë më e shkurtër deri te procesi zgjedhor, por për institucionet e Kosovës, formë e pranueshme është vetëm ajo përmes nismës së vetë qytetarëve.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë shprehur të gatshëm, kurdo që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Si KQZ, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të përmbushur detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore për të kryer përgatitjet për organizimin e këtij procesi zgjedhor, varësisht se kur ato shpallen dhe kur kërkohet nga ana e KQZ-së”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet e 23 prillit në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok u bojkotuan nga serbët, që janë shumicë në këto komuna.