Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria paralajmëron se këtë vit do të aplikojë për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar të hënën, se këtë vit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat.

Njoftimin, zëvendëskryeministri e ka bërë të ditur në takimin që ka zhvilluar me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot.

Në njoftimin për media të ekzekutivit theksohet se Bislimi në takim ka thënë se ky vit është shumë i rëndësishëm sa i përket agjendës evropiane të Kosovës.

“Kosova gjendet në vitin e 6-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, duke qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili akoma nuk ka aplikuar, andaj tashmë ka ardhur momenti të merret një hap i tillë”, citohet të ketë thënë ai.

Në takim u bisedua dhe mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon dhe dialogun me Serbinë.