Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se nuk mund të garantojnë që draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk e shkel Kushtetutën e vendit. Në javën kur janë paralajmëruar diskutime mes palëve rreth kësaj çështjeje nga ana e Brukselit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se fjalën përfundimtare për draftin që nuk është përpiluar nga Kosova, do ta thotë Gjykata Kushtetuese
Ndërmjetësit e dialogut Kosovë-Serbi do ta bëjnë edhe një përpjekje këtë fundvit për t’i nxitur palët në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit. Derisa Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbi bazën e draftstatutit të paraqitur nga Brukseli, zyrtarët serbë kanë dramatizuar se mund t’u imponohet një zgjidhje, e cila do të jetë kusht për integrimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë- Serbi, Miroslav ka nisur turin e takimeve me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq e gjatë javës do ta takojë edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Mes tjerash, temë diskutimi do të jetë themelimi i asociacionit.
“Me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, kam biseduar për draftstatutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, hapat e radhës për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt normalizimit dhe obligimet e mbetura. Do të vazhdojmë të diskutojmë me Kosovën më vonë këtë javë”, ka shkruar Lajçak në Platformën “X”.
E drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se me Lajçakun bisedoi për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai njoftoi në rrjetin social “X” se një ekip ekspertësh nga Beogradi morën pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij.
“Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë!”, ka shkruar Petkoviqi të hënën.
Ani pse nuk është zyrtarizuar drafti i statutit të Asociacionit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë për “TV21” se do ta lënë në dorën e Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar propozimin e BE-së.
“Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë të tregojë ka apo nuk ka. Në qoftë se ka, ata duhet të thonë se kjo duhet të ndryshohet”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se është mirë që opozita ka vërejtjet dhe sugjerimet e saj për draftin, duke e përsëritur se “nuk ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga pala serbe”.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar zgjidhje të imponuara për Serbinë. Me këtë i është referuar mundësisë që Marrëveshja e Brukselit t’i vendoset parakusht Serbisë në kapitullin 35 për integrim në Bashkimin Evropian.
“Do t’ju shpjegoj se me çfarë teknike ata duan të arrijnë qëllimin e tyre. Që Marrëveshja e Ohrit të pranohet në tërësi me pëlqimin e Serbisë edhe me pjesët që ne i refuzuam, të cilat kanë të bëjnë me Kombet e Bashkuara, agjencitë, institucionet dhe organizatat në OKB. Duan që ajo të jetë pjesë e kapitullit, dhe më pas të bëjnë një raport të posaçëm të BE-së, i cili do të përcillet në OKB dhe për këtë as nuk duhet të na pyesin”, ka thënë Vuçiqi për “TV Pink”.
Sipas tij, nëse dokumenti bëhet pjesë e dokumentacionit të Kombeve të Bashkuara, shumë vende të tjera mund t’i referohen atij, dhe se mund të thonë që “është Vuçiqi që po i krijon problemet, merruni me të”.
“Ata që janë skifterët kundër Serbisë, do të jenë edhe më të egër, siç është Viola von Cramon, me të gjithë të tjerët që po vijnë të ‘na shesin mend’, të na shpjegojnë se kjo apo ajo nuk është zgjedhje e mirë, se këtu nuk ka demokraci dhe se ata janë demokratë të mëdhenj. Dhe këtë do ta bëjnë deri në zgjedhjet e majit”, u shpreh ai.
Për rëndësinë e arritjes së normalizimit ka folur edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill. Sipas tij, themelimi i Asociacionit është thelbësor për ta arritur këtë synim.
“Pra, është në tavolinë. Dhe mendoj se njerëzit e kuptojnë se duhet zgjidhur dhe se duhet të ketë një marrëveshje për këtë çështje. Ngjashëm, mendoj se Kosova ka disa pritshmëri në kuptimin që ata tani mund të pretendojnë anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Përsëri, kjo është në tryezë. Mendoj se mbi të gjitha, nëse jeni në Evropë dhe po i shikoni këto lloj problemesh, dëshironi të shihni se ka një moment dhe lëvizje drejt një zgjidhjeje”, ka thënë Hill.
Ndërmjetësi i BE-së, Lajçak, bashkë me përfaqësues të QUINT-it më 21 tetor ua dorëzuan palëve propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo u pasua me takimet e ndara në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë me përfaqësues të QUINT-it. Pas bisedimeve me ndërmjetësit e dialogut, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kurti tha se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin e ri për asociacionin, bashkë me marrëveshjen bazë dhe aneksin për zbatimin e saj të arritur në Ohër më 18 mars. Por ishte Vuçiqi ai që refuzoi nënshkrimin e dokumenteve.