Arbëri

Qeveria ndryshon disa projektligje, themelon Këshillin Drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 64-të të saj ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin e Punës njëvjeçare për periudhën shtator 2017-shtator 2018.

Sipas një njoftimi, “Qeveria e Kosovës në këtë periudhë kishte prioritet zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe sundimin e ligjit”.

Këtë mbledhje qeveria e nisi me një minutë heshtje në shenjë të nderimit të viktimave që humbën jetën nga sulmi terrorist 17 vjet më parë në Amerikë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vendosjen e Pllakës Memoriale në oborrin e Ndërtesës së Qeverisë. Kryeministri Ramush Haradinaj, propozoi para Kabinetit Qeveritar miratimin e Propozim-vendimin për vendosjen e këtij memoriali të përhershëm, që përkujtimi të bëhet tradicional, në shenjë nderimi për jetët e humbura në tragjedinë e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim mori miratimin e plotë.

Ai ka theksuar se roli që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin në përkrahjen e luftës për liri të Kosovës, na bëjnë të jemi gjithmonë solidar me popullin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Memoriali i përhershëm që do të ndërtohet do të shërbejë për homazhe dhe përkujtim tradicional të viktimave të pafajshme të këtij akti terrorist.

Brenda vitit të parë të qeverisë Haradinaj janë nxjerr 756 vendime, nga të cilat nga fusha e ekonomisë janë 130; 102 projektligje; 36 akte nënligjore; 118 akte nënligjore të nxjerra nga ministritë në kuadër të fushëveprimit të tyre; po ashtu edhe 30 koncept-dokumente.

Nga 102 projektligjet, 29 prej tyre janë me ndikim të drejtpërdrejt për zhvillimin ekonomik; 18 janë për kredi ndërkombëtare;

“Shpreh falënderimin tim për të gjithë në Qeveri, për angazhimin dhe njëkohësisht dëshiroj t’ju ftoj që në Planin Vjetor për vitin 2018 të jemi ambicioz, të jemi të qartë, të mundemi t’i zbatojmë ato politika që i nxjerrim ne, por edhe politika që burojnë nga vendimet e Parlamentit dhe institucionet e vendit”, ka thënë Haradinaj.

Është aprovuar edhe vendimi për rivarrimin e eshtrave të Heroit Ilir Konushefci nga varrezat e Tiranës në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë. Riatdhesimi do të kryhet në nëntor të këtij viti që përkon me festën e flamurit, në pajtim edhe me vullnetin e familjes. Ilir Konushevci ishte një nga figurat e shquara prijëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës i ka proceduar mendimin e vet Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe Projektligjin për transmetuesin publik.

Qeveria e Kosovës i ka propozuar Osman Vishajn Kuvendit të Kosovës, kandidat për kryetar të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme janë ndarë mjete financiare në shumë prej 255,613 euro (dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e trembëdhjetë euro) për shlyerjen e borxheve të mbetura nga manifestimet për shënimin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu kabineti qeveritar ka vendosur që pas konsultimeve të nevojshme në Ministrinë e Financave rreth mundësive buxhetor, të ndahen mjete financiare për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Komunën e Mamushës.

Me qëllim të sigurimit të harmonizimit me Ligjin për kundërvajtje, që ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti, janë aprovuar plotësimet dhe ndryshimet e këtyre projektligjeve:

· Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për sportin,

· Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe të dukurive negative në ngjarjet sportive

· Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për sponsorizimin në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit,

· Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,

· Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e trashëgimisë kulturore,

· Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bibliotekat dhe

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kinematografinë.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e sotme Rregulloren për procedurat e rekrutimit të zyrtarëve korrektues në shërbimin korrektues të Kosovës, e cila është përgatitur në përputhje me rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila rregullon organizimin e brendshëm të kësaj ministrie, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar.

Kabineti qeveritar me vendimin e miratuar sot, ka themeluar Këshillin Drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në këtë përbërje:

Arian Zeka, Oda Ekonomike Amerikane

Kushtrim Shkodra, Ministria e Shëndetësisë

Vjollca Xhafa, Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë

Besim Mustafa, Oda Ekonomike e Kosovës

Bekim Hasani, Qendra Social-Edukative “Don Bosko”

Fisnik Lakna, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

Menderes Ibra, Ministria e Financave

Agron Bajraktari, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Hysen Bytyqi, Universiteti i Prishtinës

10. Enver Hajrullahu, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

11. Mehreme Llumnica, Handikos

12. Violeta Demaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

13. Hysen Balaj, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar, Kushtrim Cukaj është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Koncept dokumenti për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, ka marrë aprovimin në mbledhjen e sotme. Gjithashtu edhe Koncept dokumenti për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë është aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar.

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit ka miratuar Raportin vjetor 2017, për gjendjen e mjedisit në Kosovës. Ky raport do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, siç është e rregulluar me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit. Raporti përmban të dhëna për ndryshimet në mjedis nga raporti i kaluar, ndikimet mjedisore në shëndetin publik, gjendjen e mjediseve të rrezikuara, zbatimin e strategjisë së mjedisit, masat për mbrojtje të mjedisit, zhvillimi i institucioneve mjedisore dhe financimi i sistemit për mbrojtje të mjedisit. Qëllimi kryesor i raportit është informimi për gjendjen në mjedis në Kosovë dhe të dhënat e këtij raporti mundësojnë hartimin e politikave adekuate mjedisore dhe zhvillimore në sektorët që kanë ndikim në mjedis, siç janë ekonomia, energjetika, transporti, bujqësia.

Kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për mbikëqyrjen e veprimtarisë së Kuvendeve komunale në Republikën e Kosovës për periudhën janar-qershor 2018. Në këtë periudhë kuvendet komunale kanë miratuar gjithsej 1229 akte të cilat janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga MAPL dhe ministrit e linjës, për harmonizimin e tyre me legjislacionin në fuqi. 46 akte janë rikthyer për rishqyrtim dhe prej tyre janë rishqyrtuar në përputhje me rekomandimet e ministrisë 35 prej tyre, ndërsa 16 ende nuk janë harmonizuar në përputhje me kërkesat e ministrisë, është konstatuar në informatën e prezantuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.